Agüero shkund Barcelonën: Po nuk fituam nesër, jemi pothuajse jashtë Ligës së Kampionëve

19 Tetor 2021
15:55
Alfred Lleshi
back button

Kun Agüero debutoi me fanellën e Barcelonës në ndeshjen kundër Valencia, fundjavën e kaluar. Ai u hodh në fushë në minutën e 87-të dhe kishte një ndjenjë të mirë me lojën. Ronald Koeman është i bindur se ai do të jetë një lojtar i rëndësishëm në pjesën ofensive të Barcelonës. Edhe ish-lojtari i Manchester City, gjithashtu, shpreson ta ndihmojë ekipin e tij të ri, shumë në nevojë, veçanërisht në Ligën e Kampionëve.

Ansu Fati
“Ai është i ri. Duhet ta ndihmojmë që të vazhdojë të rritet. Është shumë e vështirë të qëndrosh në nivel të lartë. Si veteranë, ne jemi këtu për ta ndihmuar atë. Ansu po bën shumë mirë, ka një talent shumë të veçantë, i cili duhet të shfrytëzohet”.

Fanella
“Ishte një vendim i hershëm, qysh kur firmosa. Kërkova numrin 19, sepse e kam përdorur në ekipin kombëtar. Leo tashmë kishte numrin 10, kur mbërrita në kombëtaren argjentinase”.

Titullar
“Unë përpiqem të stërvitem mirë. Ky është vendimi i trajnerit. Kur i bëni gjërat mirë, keni më shumë shanse. Ka lojtarë shumë të mirë në skuadër dhe duhet t’i respektoni ata. Pozicioni fitohet duke qenë fizikisht mirë dhe më pas duke bërë gjërat mirë në fushë”.

Largimi i Messit
“Është një çështje e së kaluarës. Ne të gjithë ishim të befasuar nga largimi i tij. Unë preferoj të shoh përpara. Leo duket mirë në Paris, po e shijon eksperiencën e re. Kjo është ajo që unë dua për të si mik: ta shijojë futbollin si gjithmonë”.

Goli i parë me katalanasit
“Unë nuk kam asgjë në mendje. Goli do të vijë. Nga përvoja them se, sa më shumë që mendoni për golin, aq më keq”.

Objektivi
“Unë kurrë nuk kam pasur një numër golash si limit. Gjithmonë jam mësuar të jem sulmues i dytë. Te Manchester City kam luajtur si “9”. Kurrë nuk i kam vendosur një qëllim vetes për numrin e golave”.

Kupa e Botës çdo dy vite
“Preferoj të mos jap një opinion, sepse janë gjëra politike. Ka përfitime të tjera dhe nuk do të doja të përfshihesha”.

Champions-i
“Ne duhet ta fitojmë ndeshjen e radhës. Nëse nuk e bëjmë këtë, jemi pothuajse jashtë. Tifozët do të na ndihmojnë të fitojmë ndaj Dynamo Kyiv”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit