Aguero “sponsorizon” kthimin e Messit te Barcelona: Këtë gjë e ka në dorë Laporta…

25 Mars 2023
8:00
Alfred Lleshi
back button

Ylli argjentinas i dha lamtumirën Barçës me sy të përlotur në verën e vitit 2021 për t’iu bashkuar Paris Saint-Germain për një marrëveshje 2-vjeçare me një pagë të raportuar prej 35 milionë euro në vit.

Rikthimi i mundshëm te Barcelonë vazhdon të jetë temë kryesore, pasi kontrata e Messit në Francë po mbaron, me sulmuesin që ende nuk ka rënë dakord për zgjatje të saj. Ish-bashkëlojtari i tij ndërkombëtar Aguero ka nxitur më tej spekulimet dhe pretendon se ka 50 shanse që Messi të kthehet në “Camp Nou”, nëse Joan Laporta e dëshiron këtë:

“Përshtypja ime është se ka 50% shanse që Leo Messi të kthehet te Barça. Unë mendoj se Leo duhet të pensionohet te Barcelona, aty është shtëpia e tij. Me siguri duhet ta përfundojë karrierën e tij në “Camp Nou”. Nëse presidenti Laporta bën një hap, mendoj se kthimi i Messit te Barcelona do të jetë më afër”.

Laporta ka përmendur në disa raste se do të dëshironte ta kthente Messin në “Camp Nou”, madje pati një takim me Jorge Messin për të diskutuar një gamë të gjerë temash, duke përfshirë një ndeshje të mundshme nderimi për shtatë herë fituesin e “Topit të Artë”.

Megjithatë, vështirësitë financiare të Barcelonës mund të rezultojnë pengesë e madhe në kompletimin e marrëveshjes, ndërsa ekipi i Pro Ligës Saudite, Al-Hilal, thuhet se po harton një plan të përpunuar për të nënshkruar me Messin në verë dhe është gati t’i ofrojë 300 milionë dollarë në vit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit