Ahmataj: Kupa për mbijetesën? Mos pyesni mua!

12 Mars 2019
16:17
back button

Trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj, vazhdon të befasojë me lojën dhe rezultatet e ekipit që ka marrë vetëm para pak javësh, sepse sot bëri një goditje të madhe, duke fituar në Elbasan ndaj Partizanit.

Triumfi afron kualifikimin, por Ahmataj nuk e pranon që është hedhur një hap vendimtar, duke pritur edhe ndeshjen e kthimit. Ndërkaq, pyetja nëse kupa sakrifikohet më tej për mbijetesën kalohet me një finte nga Ahmataj, i cili në një farë mënyre e pason topin te drejtuesit.

"Fitore kualifikimi? Nuk zgjidhet asgjë që në ndeshjen e parë, duhet luajtur futboll dhe duhet të vazhdojmë të ecim në rrugën që kemi nisur, me të njëjtin impenjim dhe angazhim. Partizani na vendosi në vështirësi të mëdha, por ditëm të mbrohemi mirë dhe patë shanse për të shënuar edhe gola të tjerë.

"Gabimet para portës kundërshtare? Po, patëm shumë raste dhe nuk konkretizuam. Disa lojtarë kanë ardhur me vonesë në janar dhe u duhet kohë derisa të gjejnë maksimumin e vet dhe të përshtaten plotësisht.

"Rotacioni? Ne nuk kemi 11-she bazë, të gjithë lojtarët kanë shanse të barabarta   dhe janë të një niveli. Ishte koha për pak rotacion, jo për pushim, por më shumë për t'u dhënë minuta edhe disa lojtarëve që meritojnë më shumë hapësirë.

"Kupa, a mund të sakrifikohet për mbijetesën? Nuk është pyetje për mua, është për një nivel më të lartë. Unë stërvit skuadrën, kërkoj maksimumin në çdo ndeshje dhe merrem me fushën. Nuk është në kompetencën time të bëj zgjedhje të tilla, kupa apo mbijetesa. Gjithsesi, nuk është mbyllur çështja e këtij turi, morëm një rezultat që na favorizon, por ka edhe një ndeshje kthimi, nuk jemi kualifikuar.

"Motivimi i ekipit? Futbollistët duhen edukuar dhe ushqyer sikur luajnë një finale, sikur të jetë ndeshja e fundit në sezon, gjë që mund të ndodhë për arsye të ndryshme. Lojtarët duhet ta kenë të qartë gjithnjë që është fat i madh të luajnë, për Luftëtarin apo çdo ekip tjetër".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit