Ahmataj modest: Luftëtari është transformuar, mbijetesa trofeu im

23 Shkurt 2019
16:25
back button

Trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj, shijon suksesin e radhës dhe duket se ka bërë një mrekulli të vogël në Gjirokastër (8 pikë në 4 ndeshje), diçka e paimagjinueshme kur e mori drejtimin. Ish-mbrojtësi i njohur ka komentuar suksesin 1-0 ndaj Teutës, në "Gol pas goli" në Supersport.

"Mbijetesa do ishte trofe madhor për ne dhe për mua. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, edhe fusha nuk ishte në nivelin e duhur dhe duhej që me pak pasime të kapnim kundërshtarin në befasi. Teuta është rivali më i fortë që kemi pasur përballë deri tani, është një ekip i ndërtuar mirë dhe që do të tentojë titullin kampion në të ardhmen, ndaj jam shumë i kënaqur.

"Nuk e kam transformuar këtë ekip, janë lojtarët ata që janë tjetërsuar. Po japin gjithçka, jemi të bashkuar, duke bërë maksimumin, me shpresën se rezultati do të vijë në fund.

"Teuta? E kemi studiuar gjatë javës, por është diçka normale, që duhet bërë për çdo rival në futboll. Në radhë të parë kishim synim të mos mundeshim, duke qenë të pakalueshëm në fazën mbrojtëse. Ky është synimi ynë në çdo ndeshje, së pari të mos pësojmë gol, më pas gjithçka është e mundur.

"Nervozizmi në ekip? Jam munduar ta mbaj skuadrën sa më larg protestave ndaj arbitrit. Edhe po të shënohej penalltia, nuk kisha ndërmend të reagoja, por duhet të kuptojmë se tensioni dhe adrenalina në fushë janë normale, ndryshe nuk luan dot".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit