“Ai më theu edhe hundën”; Giggs zbulon kundërshtarin e tij më të fortë

25 Maj 2020
12:49
Alfred Lleshi
back button

Ryan Giggs e ka shpallur ish-kapitenin e Interit, Javier Zanetti, si kundërshtarin më të fortë me të cilin është ndeshur ndonjëherë, në të gjithë karrierën e tij futbollistike. Madje, legjenda e Manchester United zbuloi se argjentinasi ia kishte thyer hundën në takimin çerekfinal të Ligës së Kampionëve, më 1999. Kjo ishte një arsye kryesore për këtë zgjedhje të tij.

Trajneri i Uellsit dhe zv.presidenti zikaltër aktualisht u përballën vetëm katër herë gjatë karrierës së tyre, por kaq ka mjaftuar që i pari të sendërtojë një vlerësim maksimal për të dytin. Duke folur për MUTV, Giggs zbuloi se e konsideron argjentinasin kundërshtarin e tij më të fortë gjatë eksperiencës prej dy dekadash në majat e futbollit:

“Lojtari më i vështirë, kundër të cilit kam luajtur, ishte Javier Zanetti i Interit. Ai vraponte tërë lojën, bënte edhe mesfushorin, kështu ishte rehat me topin. Zanetti mund të mbrohej në çdo rrethanë, ishte i ashpër dhe në fakt ma theu hundën në çerekfinalen e Champions-it, kundër Interit. Ai kishte gjithçka si mbrojtës”.

Dyshja tregoi edhe më parë admirim reciprok, gjashtë vite më parë, kur dolën në “pension”, në vitin 2014. Zanetti pati thënë për “Q&A”: “Mbaj mend duelin tonë personal. Giggs ishte një nga kundërshtarët më të fortë, ndaj të cilit kam luajtur”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit