Ajax, goli i tretë i Moura “dogji” 162 milionë euro në një sekondë

10 Maj 2019
16:11
Denis Hakanaj

Sa vlen një gol? Për sulmuesit është një injeksion adrenaline, për trajnerët një lehtësim, për tifozët një britmë çliruese në shkallët e stadiumit ose para televizorit. Megjithatë, disa gola kanë një rëndësi më të madhe se të tjerë: gola që ndryshojnë një sezon të tërë, që të çojnë nga ferri në parajsë ose anasjelltas. Java e çmendur e futbollit europian ka qenë një shembull i rastit të fundit.  

Ku i dihet nëse Lucas Moura, heroi i Tottenham në "Johan Cruijff Arena", ka menduar edhe për një sekondë për dëmin ekonomik që ka shkaktuar goli i tij në minutën e 96-të, që ka ndëshkuar "djemtë e tmerrshëm" të Ajax-it. Po, sepse një gol ka edhe një vlerë ekonomike. Ai i brazilianit, në fakt, ka djegur 162 milionë euro në një sekondë.

Aksionet e klubit holandezë në bursë kanë rënë me më shumë se 20% një ditë pas ndeshjes. Një goditje që ka ardhur pas një rritjeje të vazhdueshme që ka zgjatur për pesë muaj. 

Përralla e skuadrës së Ten Hag ka çmendur tregun, në fillim me eliminimin e kampionëve të Europës në fuqi, Real Madrid, dhe më pas me fitoren e arritur kundër Juventus-it në çerekfinale. Në fillimin e kësaj jave, euforia pas fitores së marrë në gjysmëfinalen e parë kundër "Spurs" ka bërë që aksionet e klubit holandez të prekin shifrën historike 25 euro, pothuajse dyfishi i vlerës që kishin në janar. 

Më pas ka ardhur Pochettino me Tottenhamin e tij dhe flluska ka shpërthyer, duke shkatërruar ëndrrat e lojtarëve të Ten Hag dhe të mijëra investitorëve.  

Lajme të tjera

Lajmet e fundit