Al-Khelaifi në qiellin e shtatë: Neymar dhe Mbappe janë të paprekshëm…

13 Gusht 2020
8:02
Alfred Lleshi
back button

PSG mposhti me përmbysje Atalantën në minutat e fundit dhe fluturon në gjysmëfinale të Champions-it, me gola të Marquinhos dhe Choupo-Moting. Në fund të ndeshjes, duke folur për mikrofonat e RMC, presidenti dhe pronari Nasser Al-Khelaifi shprehu gjithë gëzimin e tij për kalimin e raundit:

“Nuk ishte e lehtë, sidomos me mbarimin e kampionatit tonë herët, por ne dhamë gjithçka. Jam vërtet shumë krenar. Kjo është hera e parë që kemi arritur në gjysmëfinale, që nga blerja e klubit në vitin 2011. Tani duhet të mendojmë vetëm për gjysmëfinalen. Ju kërkoj djemve të mos mendojnë tani për finalen.

Ne kemi nevojë për ta ndryshuar mentalitetin. Unë jam shumë krenar për lojtarët, stafin, për të gjithë. është shumë e rëndësishme të ndryshojmë mentalitetin e lojtarëve, por edhe perceptimin e mediave në lidhje me aftësinë e PSG për të shkuar larg”.

Por, Al-Khelaifi flet mbi të gjitha për dy xhevahirët e skuadrës, duke i nxjerrë ata nga tregu i transferimeve dhe duke dërguar një sinjal për të gjithë skuadrat, Real Madridin dhe Barcelonën, mbi të gjitha: “Neymar dhe Kylian janë dy nga lojtarët më të mirë në botë, por sonte ishte ekipi, që luajti një ndeshje të shkëlqyeshme, edhe pse Neymar ishte me të vërtetë mirë. Diçka ka ndryshuar në ekip gjatë muajve të fundit. Kylian dhe Neymar do të qëndrojnë këtu, janë të paprekshëm nga askush…”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit