Futboll

Allegri i druhet Interit, por paralajmëron: Ndeshja më e rëndësishme luhet javën e ardhshme!

Trajneri i Juventus-it, Max Allegri insiston se kampionati italian nuk ka mbaruar ende, duke kërkuar përqendrim maksimal para sfidës ndaj rivalit të së premtes, Inter-it. Gjithsesi, për të ulur tensionin, trajneri bardhezi e konsideron sfidën ndaj Interit si një ndeshje radhe, ndërsa sheh si më vendimtare sfidën ndaj Young Boys, mesjavën e ardhshme në Champions League.

Në konferencën për shtyp para kësaj ndeshjeje tekniku ka thënë: “Nesër do të jetë një ndeshje e bukur dhe e rëndësishme, është derbi italian. Duke parë tabelën e Seria A, janë dy ekipe që së bashku me Milanin, kanë bërë histori në futbollin italian.”

“Është një ndeshje e rëndësishme, si nga ana emocionale, teknike edhe taktike duhet të jemi të përgatitur. Loja është si një përballje Champions League, duhet të përgatitesh. Ne do të përballemi me një ekip që është rritur shumë si nga ana e vetëvlerësimit ashtu edhe në rezultate. Së bashku me Napoli-n, ata janë rivalët kryesorë të Juventus-it për momentin. Ne duhet të vazhdojmë rrugëtimin tonë shumë të qetë. Juve s’ka mbaruar punë me kampionatin. Duhen fitore se kemi rrugë të gjatë përpara.”

“Natyrisht, duhet të mendojmë edhe për Young Boys, është ajo sfida më e rëndësishme nga këto të dyja, nëse i vendosim në peshore. Na duhet vendi i parë në grup në Champions, absolutisht, duke parë situatën e grupeve dhe shortin”.

“Emre Can është rikthyer në skuadër dhe mund të luajë, por nuk është ende gati për titullar. Edhe Bentancur ka pasur një problem në shpinë, nuk e di a do luajë nga minuta e parë, mund ta zëvendësojë pikërisht Can. Mbrojtja është e plotë, ndoshta nesër bëj ndonjë ndryshim.”

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Më shumë nga Futboll