Allegri kundër rrymës: Kemi gabuar duke imituar Guardiolën për 20 vite

6 Dhjetor 2019
13:23
Alfred Lleshi
back button

Filozofia “tiki-taka” e Pep Guardiolës, e implementuar nga Barcelona, nuk ishte për të gjithë. Kështu mendon Massimiliano Allegri, i cili ka qenë i kënaqur ta shohë të ringjallet kundërsulmi në futboll kohët e fundit. Midis vitit 2008 dhe 2012, Guardiola formoi një nga skuadrat më të mëdha në histori, ndërsa ishte në krye të katalanasve, me të ngjashmit e Lionel Messi, Andres Iniesta dhe Xavi në kulmin e fuqive të tyre. Blaugrana-t fituan 14 trofe të mëdhenj gjatë asaj periudhe, përfshirë tre tituj të La Liga-s dhe dy kurora të Champions-it. Ata thyen të gjitha llojet e rekordeve në këtë periudhë. 

Guardiola u përshëndet si një vizionar për stilin e tij të preferuar të lojës në “Camp Nou”, të cilin e zbatoi në tri vite te Bayern Munich, para se të bashkohej me Manchester City, më 2016. Nën udhëheqjen e tij, “qytetarët” kanë fituar dy tituj të Premier League në tri vite, por përparimi i tyre ka ngecur disi në gjysmën e parë të sezonit aktual. Kryesuesit e Liverpool janë 11 pikë para tyre, pas 15 ndeshjeve kampionat. Allegri, i cili e la postin e tij të mëparshëm te Juventusi (në maj), pas pesë titujsh kampioni radhazi në Serie A, mendon se futbolli po largohet nga modeli i Guardiolës, që mori jetë në “Camp Nou”, të cilin e sheh si pozitiv, por jo të aplikueshëm nga kushdo.

Ndërsa i referohej pikëpamjes pro-aktive të taktikës së ish-trajnerit të Milanit, Arrigo Sacchi, Allegri tha për “Corriere della Sera”: “Po shoh një rikthim të shkëlqyeshëm te kundërsulmi. Ne gabimisht e kemi ndjekur Guardiolën për 20 vite. Futbolli i Guardiolës nuk ishte për të gjithë. Që ta aplikosh atë filozofi loje duhet të kesh Iniesta, Xavi dhe Messi. Ne morëm një leksion që lidhej vetëm me ta, por nuk mund të implementohej nga të gjithë. Kur dëgjoj Arrigo Sacchi duke folur për zotërimin e topit përmes qasjeve pro-aktive, nuk e kuptoj se çfarë po thotë dhe kjo më shqetëson. 

Pse, të luash vertikalisht, do të thotë të mos aplikosh futboll pro-aktiv? Unë i kam parë ndeshjet e Sacchi 20 herë. Më kujtohet ai në “San Siro”, në ndeshjen kur Milani shënoi pesë gola kundër Realit. Kuqezinjtë luajtën drejtpërdrejt. Ishte një Milan vertikal, që përdorte kundërsulmin, çka nuk është e lehtë për t’u bërë, por kur e arrin atë, prodhon spektakël. Sot udhëtoj përreth, shoh futbollin në të gjitha nivelet, edhe atë amator. Unë flas me trajnerët dhe dëgjoj gjëra që më trembin. Ata flasin si nëpër libra, si në televizion. Nëse filozofitë janë të mira, pse të mos i përdorin? Problemi është rezultati, për të cilin gjyjohet trajneri dhe lojtarët. Kjo është çështja, ke rezultate apo jo… Roberto Mancini (trajneri i Italisë) tani është një person tjetër. Ai është bërë i rëndë, serioz… Tani flet për futbollin me të gjithë. Ai luan thjesht, është një maestro”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit