Allegri, lojë fjalësh për Pogba: Nuk do të kthehet, sepse ka frikë të më sfidojë në… basketboll

25 Maj 2022
9:00
Alfred Lleshi
back button

Paul Pogba konsiderohet shumë i afërt me Juventusin, por Massimiliano Allegri, njëri që e ka parë të rritet francezin, bën shaka për rikthimin e tij të mundshëm në Torino. “Pogba sigurisht që nuk kthehet, sepse ka frikë të më sfidojë mua në basketboll.

Këtë e mendon fillimisht me këmbë e më pas me duar… Ai u largua për këtë arsye”, – tha trajneri toskan me të qeshur në një intervistë për Dazn, duke kujtuar sfidat e shumta personale me “Oktapodin”, pas stërvitjes.

Duke lënë mënjanë shakatë, Juventusi po punon seriozisht për ta rikthyer Pogban në Torino dhe bisedimet me përfaqësuesit e tij duket se janë në rrugë të mbarë. Në orët e fundit është shfaqur një sondazh nga Real Madridi, i cili prej kohësh është interesuar për mesfushorin e Manchester United.

Mbretërorët madrilenë duket se i janë rikthyer kësaj piste, pas “jo”-së së Mbappe. Megjithatë, për momentin bardhezinjtë kanë një avantazh të qartë, edhe me vullnetin e vetë lojtarit.

Situata – Raportime të shumta në Itali sugjerojnë se Juventusi ka rënë dakord për kushtet personale të kontratës me Paul Pogba, ndaj pritet rikthimi i mesfushorit nga Manchester United si lojtar i lirë. Kontrata e tij me klubin nga “Old Trafford” do të skadojë më 30 qershor dhe gjatë dy ditëve të fundit, bardhezinjtë informuan Manchester United se ishin në negociata me lojtarin.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, Juventus tani ka rënë dakord për kushtet personale me Pogba përmes menaxherit të tij, i cili ka marrë përsipër bisedimet pas vdekjes së Mino Raiola. Thuhet se është një kontratë 3-vjeçare me vlerë 10 milionë euro në sezon, plus bonuse të lidhura me performancën.

Ndërkohë që kishte interesim edhe nga Paris Saint-Germain, Real Madrid e Manchester City, Pogba ka dëgjuar zemrën për t’u rikthyer në klubin ku ndihej më i lumtur dhe pati paraqitjet e tij më të mira.

Është një kthesë e jashtëzakonshme, duke pasur parasysh se ai iu bashkua Juventusit si lojtar i lirë nga Manchester United në vitin 2012 dhe u shit përsëri në të njëjtin klub të Premier League për 105 milionë euro, më 2016.

Tani ai duket se do të vijë sërish te “Zonja e Vjetër” pa asnjë tarifë kartoni, duke e lënë dy herë falas Manchester United. PSG me siguri i ka ofruar pagë më të lartë, por Pogba mësoi gjatë përvojës së tij në Premier League se duhet të ndihet i vlerësuar nga fansat dhe mediat për të qenë i lumtur.

Bonusi tjetër është se Pogba do të përfitojë lehtësime tatimore, që përgjysmojnë në mënyrë efektive taksën mbi pagën e tij për shkak të ‘dekretit të rritjes’.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit