Allegri shokon tifozët: E paimagjinueshme që Juventusi të fitojë 20 vite radhazi

26 Nëntor 2021
13:31
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Juventusit bëri një bilanc në prag të ndeshjes me Atalantën. Te bardhezinjtë ka një ngut për të reaguar ndaj goditjes së marrë në “Stamford Bridge” nga Chelsea, në Champions League, 4-0. “Zonja e Vjetër” do të presë nesër në “Allianz Stadium” Atalantën. Ka disa dyshime për formacionin, me disa lojtarë që nuk janë në formë perfekte.

Duke folur në konferencën për shtyp në prag të sfidës me zikaltrit, Allegri u shpreh: “Kemi një muaj të rëndësishëm përpara. Ndeshja e nesërme është e rëndësishme, por jo vendimtare. Mendoj se ndeshjet më të rëndësishme do të jenë 6 të fundit të fazës së parë. Atalanta është një skuadër që shënon shumë. Ne do të duhet të luajmë sa më mirë si nga aspekti sulmues, ashtu edhe nga ai mbrojtës. Nesër na pret një sfidë e madhe”.

Trajneri i Juventusit më pas vazhdoi: “Nesër do të jetë një ndeshje mes dy skuadrave që aktualisht luftojnë për vendin e katërt. Ne duhet ta përgëzojmë Atalantën për punën që ka bërë ndër vite. Ajo po bën mirë edhe në Itali, edhe në Ligën e Kampionëve, ku shpresojmë që të gjitha skuadrat italiane të kualifikohen. Të luash kundër këtij kundërshtari është gjithmonë e komplikuar”.

Duke iu rikthyer disfatës së rëndë të Champions League, Allegri shpjegoi: “Në Londër humbëm një ndeshje dhe na vjen keq, sepse jemi Juventusi dhe të humbasim kështu nuk është mirë. Loja deri në minutën e 55-të ishte e balancuar. Skuadra jonë zhvilloi një pjesë të parë të mirë, pas golit të dytë u shpërbë dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Pas një ndeshjeje të rëndësishme si ajo kundër Lazios mbërritëm në Londër dhe u shpërbëmë. Mos harroni se ndeshja për t’u fituar patjetër ishte ajo e Torinos kundër kampionëve të Europës. Atje ia dolëm”.

Disa fjalë edhe për Chiesa: “Ai luajti një ndeshje të mirë kundër Lazios. Ndeshja ndaj Chelsea ishte krejt ndryshe, por ai bëri gjëra të mira edhe në Londër. Teknikisht është një lojtar i nivelit më të lartë, pastaj si gjithë të tjerët, gjithmonë mund të përmirësohet”.

Mbi vështirësitë që po has te Juventusi në këtë eksperiencë të dytë aty, Allegri nënvizoi: “Ato që kanë ndodhur vitet e fundit janë gjëra të së kaluarës. Ky është një ekip me lojtarë cilësorë, mendoj se duhet të kalojmë një rrugë të rritjes së përgjithshme për t’u përmirësuar. Gjëja më negative për momentin janë pikët e grumbulluara në kampionat. Në mars do të luajmë Champions League, të shohim me kë do të përballemi në turin tjetër. Sezoni nuk është njësoj tani siç do të jenë në mars.

Kur fola me presidentin, ai më kërkoi që të kthehesha te Juventusi, të punoja së bashku me klubin për ta bërë ekipin të qëndrueshëm dhe rezultativë. Pastaj nëse këto rezultate do të arrijnë për 1 vit, 6 muaj apo 2 vite, do ta shohim. Ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet për t’u rritur. Unë mendoj se nuk është turp të kalosh në kriza të tilla. Është e paimagjinueshme që Juventusi të fitojë për 20 vite radhazi, në këtë moment skuadra duhet të punojë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit