Altin Lala: Rashica do të kapë majat, ja ku ndryshon Kosova nga Shqipëria

29 Prill 2019
15:45
Alfred Lleshi
back button

Altin Lala ishte në Kosovë gjatë fundjavës. Ai u pa në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku të dielën u luajt ndeshja mes Prishtinës dhe Drenicës (2-1). Përflitet se menaxheri i Milot Rashicës kishte mision për të kërkuar talente të tjerë, por pa përmendur ndonjë emër të veçantë. Gazetarët e “Super Sport” në Kosovë kanë zhvilluar një intervistë me ish-kapitenin e kombëtares kuqezi. 43-vjeçari është ndalur në disa tema. 

Duke nisur nga diferencat mes Shqipërisë dhe Kosovës: “Shqipëria dhe Kosova janë aty-aty si nivel. Mendoj se Kosova ka shumë talente dhe është në zhvillim e sipër. Te Shqipëria, lojtarët janë në moshë disi më të madhe, kanë më shumë eksperiencë. Kosova ka shumë talente dhe premisa që të bëjë më mirë në të ardhmen, megjithëse unë do të doja që të kishim vetëm një kombëtare”. 

A ka ndonjë emër, që po e studion në kampionatin kosovar? Lala përgjigjet: “Po, janë disa lojtarë në Kosovë, që po i mbikqyr, akoma nuk mund të zbuloj emra. Dëshira dhe qëllimi është të evidetojmë sa më shumë lojtarë shqiptarë, që të luajnë në Bundesligë. Shpeshherë i ndjek nëpërmjet “Super Sport” ndeshjet e kampionatit të Kosovës dhe të Shqipërisë. Marr informacione për lojtarët, që kanë talent, vullnet dhe dëshirë për t’u afirmuar”.

Nuk mund të mungonte në këtë intervistë edhe Milot Rashica, “klienti” i tij, që po shkëlqen në Gjermani: “Miloti është duke bërë jashtëzakonisht mirë, sidomos nga janari. Është në rrugën e duhur dhe, për mendimin tim, në një përqindje të madhe do të bëhet më i mirë. Ai po i kënaq tifozët e Werderit, por edhe shqiptarët që jetojnë në Gjermani, Kosovë e Shqipëri. Të gjithë janë krenarë për të”.

Pas këtij shpërthimi të Rashicës, normal që rritet edhe interesimi i kubeve të mëdha për të. Lala sqaron situatën në këtë drejtim: “Futbolli është bërë shumë i shpejtë, Miloti ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha në Europë. Ai duhet të përmirësohet në disa aspekte, për të arritur nivelin më të lartë. A mund të ketë lëvizje në verë? Nuk mund ta them 100%, futbolli është i paparashikueshëm, por edhe në Bremen ndihet shumë mirë. Do të ishte mirë që të luante aty edhe një sezon. Klubet shohin shumë potencial te Miloti dhe shpresojmë që një ditë të arrijë majat”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit