ANALIZA: Shumë talente & prova e suksesshme, e ardhmja kuqezi është e sigurt!

24 Nëntor 2020
10:15
Telesport
back button

Thuajse një javë më parë Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi ndaj Bjellorusisë 3-2 në Tiranë, duke u renditur në krye të Grupit 4 të Ligës C në UEFA Nations League.

Atëherë kur ujërat janë qetësuar është koha për bilance. Kuqezinjtë grumbulluan 11 pikë në 6 ndeshje duke kapur kreun dhe duke lënë pas Bjellorusinë, Lituaninë dhe Kazakistanin.

Përveç faktit se është hera e parë që përfaqësuesja shqiptare renditet e para e grupit në përfundim të një turneu ndërkombëtar, ky edicion do të mbahet mend për shumë rekorde pozitive në kampin kuqezi.

Edy Reja: Na duhej rezultati, e morëm me meritë - mbrojtja bëri gabime - Telegrafi

Dhe ajo që ndoshta vlen më shumë për t’u përmendur është fakti se tashmë kemi një grup të konsoliduar lojtarësh që na japin garanci të mëdha për të ardhme.

Në turneun që përfundoi para pak ditësh, trajneri Edoardo Reja grumbulloi afërsisht 40 lojtarë dhe në të gjitha takimet e luajtura nga shtatori e deri në nëntor ai nuk e ka pasur në asnjë moment formacionin e tij ideal.

Pandemia COVID-19, problemet me klubet dhe dëmtimet kanë bërë që ekipit kuqezi t’i mungonin në shumë raste lojtarë me peshë.

Por pavarësisht mungesave dhe ndryshimeve të kushtëzuara, tekniku italian është mbështetur në talentet e shumta që vijnë nga ekipet kombëtare të moshave.

Madje, në një moment gjatë ndeshjeve të tetorit në skuadër u afrun shumë të rinj, të cilët patën shanset e tyre dhe treguan vlera në transfertat e Kazakistanit dhe Lituanisë.

E nëse do të kishim pak më shumë fat do të kishim marrë edhe më shumë pikë, nëse do të kishim konkretizuar ato raste për shënim.

Gjithsesi, gjatë rrugës u bë edhe një riformatim i ekipit dhe ndonëse u bënë eksperimente, kombëtarja nuk doli jashtë objektivit dhe në fund të turneut ia doli të renditej e para e grupit.

Tani është e rëndësishme që ne të sigurojmë lojtarë që do të mund të zëvendësojnë ato që quhen elementët të cilët kanë peshë specifike në skuadrën kuqezi.

Dhe gjasat duken të mira sepse duke parë kontingjentin janë siguruar prurje që mund të ofrojnë edhe më shumë se 2 lojtarë për një pozicion. Kjo na ofron patjetër siguri për të ardhmen.

Duke parë numrat janë shumë të rinj të cilët janë pjesë e listës së trajnerit Reja, duke e nisur që nga më i vogli Ramen Çepele, i cili theu rekordin e debutimit me kuqezinjtë, e duke vazhduar me Armando Brojën, Marasha Kumbullën, Albi Dokën, Sherif Kallaku, Xhakomo Vrioni, Lindon Selahi, Enis Çokaj, etj.

Mosha mesatare e këtij grupi është 25.5 vjeç dhe kontingjenti i futbollistëve me të ardhme është shumë i madh. Është një mundësi mjaft e mirë për një kombëtare si kjo e jona, që nuk e ka pasur kurrë këtë luks zgjedhjesh dhe kaq alternativa, faktorë që na bëjnë të ëndërrojmë për një tjetër arritje madhor, si ajo e “Francë 2016”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit