Analizë/ Revolucioni Panucci në kombëtare, “senatorët” drejt largimit, emrat e rinj që afrohen në 2019!

21 Janar 2019
22:20
back button

Viti që sapo ka nisur do të jetë sfidues për ekipin tonë kombëtar të futbollit. Christian Panucci mori besimin e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, për të vijuar drejtimin e kombëtares “Kuq e Zi”. Italiani, edhe pse regjistroi rezultate zhgënjyese në gati një vit e gjysmë, i mbijetoi shkarkimit.

 Gjatë drejtimit të kombëtares shqiptare të futbollit, trajneri Christian Panucci është ankuar shpesh për mungesë lojtarësh, dëmtimet e “veteranëve” apo mos aktivizimin e tyre në ekipet përkatëse. Për këtë arsye ai ka provuar të paktën 50 lojtarë të rinj në grumbullime miqësore e zyrtare, që nga dita që nisi punën zyrtarisht me ekipin shqiptar. 

Shumë prej lojtarëve të rinj kanë bindur, disa prej tyre kanë ardhur nga U-21 dhe disa të tjerë kanë qenë zbulime të rastësishme. Telesport i bën një analizë situatës aktuale të ekipit kombëtar, duke projektuar edhe ndryshimin që pritet të pësojë përfaqësuesja, ku mbi të gjitha vlen të theksohet se ky mund të jetë viti i fundit në kombëtare për shumë lojtarë veteran. 

Ndryshimi i brezave- Kjo ka nisur tashmë dhe nuk ka kthim pas. Largimi i Ansi Agollit nga kombëtarja gjatë drejtimit të Panuccit ishte sinjal edhe për shumë futbollistë të tjerë. Trajneri italian prej kohësh kërkon lojtarë të rinj për rolet, që aktualish i mbulon Mërgim Mavraj, Andi Lila, Ledian Memushaj, Migjen Basha, Bekim Balaj, Armando Sadiku, Ermir Lenjani, etj. Në fakt duket se këto role po plotësohen nga dita në ditë. 

Transformimi i portës– Këtu nuk pritet të ketë ndryshime edhe për këtë vit. Etrit Berisha është në formë të shkëlqyer po në të njëjtin nivel dhe Thomas Srakosha. Të dy portierët do të jenë në rivalitet mes tyre edhe për pak vite, derisa Berisha të largohet për shkak të moshës (29 vjeç aktualisht). Më pas porta do të ketë emra krejtësisht të rinj, pasi as Alban Hoxha nuk pritet të jetë më pjesë e kuqezinjve. Ndaj Elhan Kastrati dhe Gentian Selmani do të jenë pasuesit. 

Transformimi i mbrojtjes- Reparti më problematik i erës Panucci, pa lënë mënjanë dhe sulmin. Në mbrojtje transformimi nisi kur u la jashtë   Arlind Ajeti dhe largimin gradual të Ansi Agollit. Ermir Lenjani dhe Mërgim Mavraj, për shkak të moshës, janë në perëndim të karrierës me ekipin kombëtar, pavarësisht se kanë ende për të dhënë. 

Megjithatë, Ivan Balliu, Egzon Binaku, Berat Gjimshiti, Frederic Veseli, Ardian Ismajli, Enea Mihaj, Besir Demiri dhe Elseid Hysaj, pritet të jenë pjesë e përhershme e grumbullimeve të Panuccit gjatë vitit 2019. Të gjithë lojtarët në fjalë tashmë janë provuar dhe kanë dhënë garancitë e nevojshme se meritojnë fanellën e ekipit “Kuq e Zi”, ndërsa janë pothuajse të gjithë titullar me ekipet përkatëse. 

Transformimi i mesfushës– Lajmet janë të mira dhe shumë pozitive për futbollistët kuqezi, që aktivizohen në këtë repart me klubet përkatëse. Mesfusha është një repart që gjatë 2019 pritet të jetë e gjitha me emra të rinj, pasi shumica e lojtarëve i përkasin moshës nën 23 vjeç. Andi Lila, Migjen Basha dhe Ledian Memushaj, janë në formë të mirë dhe luajnë rregullisht me ekipet e tyre. 

Por në kombëtare, Panucci ka treguar se janë drejt fundit, pasi në shumë takime i ka lënë në stol, teksa ka preferuar emra të rinj. Kështu, Keidi Bare (po shkëlqen në Spanjë), Ergys Kaçe, Emanuele Ndoj, Ylber Ramadani, Kamer Qaka, Taulant Xhaka, Sabien Lilaj, etj, pritet të jenë baza e grumbullimeve të mesfushës gjatë këtij viti. 

Transformimi i sulmit– Kemi vuajtur shumë në këtë repart gjatë vitit që lam pas. Dëmtimi i Sadikut, Roshit, mungesa e Cikalleshit, Balajt, krijuan vështirësi në gjetjen e golit për skuadrën e Christian Panuccit. Por nëse viti që shkoi ishte i “zi”, viti që sapo ka nisur duket pozitiv për sulmuesit e kombëtares. 

Ndonëse Sadiku dhe Roshi kanë lënë pas dëmtimin, Cikalleshi po kalon formë të mirë në Turqi e Balaj është po ashtu në formë të mirë, pavarësisht mungesës së golit, as këta futbollistë nuk do e kenë të lehtë këtë vit. Konkurrenca është rritur ndjeshëm. Myrto Uzuni ishte zbulim dhe fitoi vendin e titullarit me Panuccin, Grezda, pavarësisht vështirësive në Skoci, është shumë i ri dhe jep garanci për të ardhmen. 

Xhakomo Vrioni ishte një tjetër zbulim, sulmues që ia rrëmbyem Italisë në moshë 19-vjeçare. Edhe Vrioni është në planet e Panuccit. Rei Manaj po kalon formë të mirë në Spanjë dhe ai po ashtu në planet e trajnerit për të ardhmen. Gjatë këtij viti pritet që të ketë dhe tre emra të rinj, që pritet të afrohen në majën e sulmit si Fiorin Durmishaj (Panionios), Francesco Tahiraj (Hajduk Split) dhe Albion Ademi (Inter Turku).

 Pra të gjithë këta janë kërcënim real për “senatorët”, përfshi dhe Enis Gavazajn, që nëse nuk aktivizohet rregullisht në Rusi, rrezikon shumë. Pa harruar këtu, që emra si Emir Sahiti apo Taulant Seferi janë në pritje të një vendi në kombëtaren “A”, pasi kanë lënë U-21 dhe po kalojnë formë të mirë me klubet. 

Brezi i së ardhmes- Nisur nga sa më sipër, kombëtarja e këtij vitit do të jetë ndryshe nga sa jemi mësuar. Skuadër me shumë emra të rinj, cilësi, motivim dhe padyshim më premtuese. Të gjitha këto janë ndryshime të pritshme, teksa sinjalet tashmë janë dhënë, pasi Christian Panucci po projekton ekipin e tij për eliminatoret e Euro 2020 që nisin në mars. 

Në fakt ajo që të gjithë duhet të na gëzojë, është pikërisht fakti që pothuajse të gjithë emrat e rinj të përmendur më sipër, janë lojtarë aktiv, titullar dhe me rendimet me klubet e tyre. Gjithashtu janë lojtarë të rinj, shumica nën moshën 25 vjeç, çka të bën të thuash se ky do të jetë brezi i lojtarëve që të paktën në pesë vitet e ardhshme do të formojë ekipin kombëtar të Shqipërisë, përjashto afrime sporadike të talenteve. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit