Ancelotti: Jam në klubin më të mirë në botë, por vuajtja është më e madhe se lumturia

5 Mars 2024
14:22
Alfred Lleshi
back button

“Nuk ka kurrë paqe mendore në një ndeshje ku vendoset shumë në lojë. Ne duhet ta ndjekim ëndrrën për të vazhduar në kompeticionin që na ka dhënë shumë sukses. Unë kam idenë që të mos mendoj për arbitrin para ndeshjes, shpresoj që të mos mendoj për këtë edhe më pas”, – nënvizoi Carlo Ancelotti në konferencën për shtyp, në prag të përballjes së kthimit me Leipzig në “Santiago Bernabeu”, nesër në mbrëmje.

Ndeshje e hapur ndaj një kundërshtari të vështirë, që gjithsesi u mund 1-0 në sfidën e parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Përveç kësaj, ai bëri një reflektim kurioz për lumturinë dhe vuajtjet në botën e futbollit:

“Për ta shteruar këtë çështje duhet një fjalim shumë i gjatë. Më pëlqen puna ime, aq më tepër te Real Madridi. Mendoj se është klubi më i mirë për ta bërë këtë punë. Në përgjithësi, vuajtja është më e madhe se lumturia…, sepse ka shumë situata që duhet t’i përmirësosh. Brenda fitores ka njerëz që nuk janë të lumtur, një lojtar që nuk luan etj… E gjitha kjo ndikon në lumturinë tënde. Vuajtja është vetëm e jotja. Lumturia mund të ndahet me të tjerët, por vuajtja nuk mundet. Jam shumë mirë, sepse drejtoj ekipin më të mirë në botë, por vuajtja është më e madhe se lumturia”.

E kuqja e Bellingham: “Nuk kam folur me të për këtë, nuk kam nevojë. Ai është një lojtar që jep gjithçka në fushë, po bën shumë mirë. Ajo që ndodhi, kartoni i kuq, ishte gabim. Unë kisha pak zhgënjim, por nuk thashë asnjë lloj fyerjeje”.

Bilanci i sezonit: “Deri sot kemi bërë shumë mirë, duam të vazhdojmë kështu. Nuk do të kalojë shumë, dy muaj e gjysmë apo tre, pastaj do të vlerësojmë se si ka qenë sezoni ynë. Deri tani nuk mund të qortoj asgjë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit