Ancelotti nën akuzë, ky është Napoli më i dobët që nga koha e Edy Reja

2 Dhjetor 2019
10:59
Alfred Lleshi
back button

8 ndeshje radhazi pa fitore, 3 humbje dhe 5 barazime. Një krizë, që nuk mund të fshihet më, ajo e Napolit, e bërë edhe më e dukshme nga orteku i vërshëllimave të tifozëve në “San Paolo”, përgjatë ndeshjes me Bologna. Numrat janë të pafalshëm: 20 pikë në 14 ndeshje, zona e Champions është tashmë 8 “hapa” larg. Një skuadër aq të vdobët, Napoli nuk e kishte që nga viti 2007, kur Edy Reja ishte në stol. Që atje, kurrë nuk ka qenë kaq keq në epokën e presidentit De Laurentiis. Donadoni në vitin 2009 kishte grumbulluar, si Ancelotti, 20 pikë në 14 ndeshje, por u shfajësua nga grupi që kishte në dispozicion. 

Situata po bëhet çdo javë e më e errët. “Corriere dello Sport” zbulon heshtjen e plotë në dhomat e zhveshjes, derisa Insigne, në rolin e kapitenit, mori fjalën dhe mbajti një fjalim të vështirë para ekipit. I kryqëzuar është edhe Carlo Ancelotti, që sot e ka urdhëruar skuadrën të jetë në kompleksin stërvitor (Castel Volturno). Trajneri anuloi ditën e pushimit, i do lojtarët në fushë, për të biseduar me ta. “Do të kem kënaqësinë të ballafaqohem me lojtarët. Shumica e përgjegjësive më prekin mua, është e pashmangshme, por besoj që edhe ata duhet të marrin një përqindje. 

Momenti është shumë negativ, faji jo vetëm i dikujt. Marrja e përgjegjësisë është gjëja e parë, nëse duhet të dalim shpejt prej kësaj situate”, – thotë Ancelotti. Ndërkohë, tifozët e kishin ndërmarrë nismën e tyre në rrjetet sociale, përmes hashtagut “#AncelottiOut”, por e kanë çaktivizuar për momentin, duke i dhënë skuadrës një mundësi të fundit për të reaguar. Ndeshjet ndaj Udinese dhe Genk mund të jenë vendimtare edhe për të ardhmen e trajnerit. Për me tepër, është në diskutim edhe hipoteza e grumbullimit, e kërkuar nga vetë skuadra para ndeshjes me Udinese.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit