Andrea Agnelli feston 12-vjetorin si president, Juventusi: Fitorja më e mirë është ajo e radhës…

19 Maj 2022
9:51
Alfred Lleshi
back button

Juventus feston 12-vjetorin e presidentit të Andrea Agnelli në Twitter. Ky është teksti i shënimit të publikuar nga klubi bardhezi në faqen e tij: “Pas pak ditësh do të përfundojë një sezon tjetër nën presidencën e Andrea Agnellit, i dymbëdhjeti, por tashmë po mendojmë për atë të radhës.

Tashmë po mendojmë për sfidat e reja, për t’u rikthyer sa më shpejt në vendin që na takon dhe që me Andrea Agnelli si president e kemi pushtuar prej shumë vitesh, duke ngritur 9 herë radhazi titullin kampion, 5 herë Kupën e Italisë dhe po aq herë Superkupën e Italisë.

Sepse kjo është dhe ka qenë gjithmonë filozofia e Andreas: fitorja më e mirë është ajo e radhës. Dhe tjetra, ajo e radhës, fitohet vetëm me ato që janë karakteristikat e ADN-së së Juves: pasioni, përkushtimi, guximi, vullneti dhe vendosmëria e atyre që nuk dorëzohen kurrë. Deri në fund”.

Pak ditë më parë, presidenti i “Zonjës së Vjetër” foli për gazetarët, ku u ndal në disa çështje pikante: “Paulo Dybala është një lojtar i madh, por vendimet janë rezultat i momenteve. Nëse do të më kishit pyetur për Vlahovic te Juventusi në dhjetor, do të kisha thënë se ishte e pamundur, por më pas e morëm në janar.

Burimet financiare janë të kufizuara dhe ju duhet të zgjidhni se si t’i investoni ato. Ne kemi Vlahovic, de Ligt, Chiesa dhe Locatelli. T’i bënim një ofertë Paulos, që nuk i përshtatet nivelit të tij, nuk ka qenë e drejtë edhe për të, i cili në moshën 28-29 vjeç duhet të hedhë hapin e fundit të karrierës.

Superliga Europiane? Ajo sugjeron reagimin e ashpër të UEFA-s ndaj një grupi klubesh, disa prej të cilëve janë frikësuar. Për të mbështetur beteja juridike duhet t’i kesh shpatullat e gjera, presim me qetësi  vendimin e gjykatës europiane. Koha do të jetë e sinqertë,  nuk ka qenë sulm ndaj Ceferinit. Në fakt, tashmë ka një Superligë, sepse nga marsi e atëherë, në Kupat e Europës ka një tjetër Premier League, siç po e shihni”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit