Anglia mban frymën te derbi i Manchesterit, titulli kalon nga “Old Trafford”

24 Prill 2019
10:47
Alfred Lleshi
back button

Beteja për titullin kampion të Anglisë kalon nga “Old Trafford”. Manchester City vazhdon garën e vet për ta mbrojtur kurorën në Premier League dhe është përgatitur për një të mërkurë të zjarrtë, një sfidë tejet të rëndësishme mesjave kundër “Djajve të Kuq”. Derbi i Manchesterit luhet në kuadrin e javës së 31-të, e shtyrë për shkak të angazhimeve të “FA Cup”. 

Në kampionat, “qytetarët” kanë shifra të shkëlqyera kundër Manchester United: 5 fitore në 7 ndeshjet e fundit, madje edhe në shifrat 6-1, çka rishkroi historinë dhe ndoshta ndryshoi hierarkinë mes këtyre dy skuadrave, në vitin 2012. Edhe këtë sezon ekziston një hendek i madh mes tyre. Guardiola luan për titullin dhe është në kuotën e 86 pikëve për momentin, 22 pikë më shumë se skuadra aktuale e Solskjaer, e trashëguar nga Mourinho.

6 humbje në 8 ndeshjet e fundit për Manchester United, ndërsa ‘qytetarët” dështuan vetëm kundër Tottenhamit në Ligën e Kampionëve, nga shkurti deri më sot, duke fituar me të gjithë të tjerët. Qasje krejt të ndryshme të formës aktuale sportive kanë dy skuadrat, or derbi mbetet derbi dhe i paparashikueshëm kudo dhe kurdoherë. 

Ajo që mund të thuhet paraprakisht është se derbi i sotëm i Manchesterit do të vendosë, ndoshta, fatin e titullit në Premier League. Liverpool ka grumbulluar 88 pikë në 35 ndeshje, kryeson klasifikimin për momentin, por të besuarit e Guardiolës kanë një ndeshje më pak. Pra, nëse llogarisin edhe tri pikë në sfidën e prapambetur, mund t’i parakalojnë “Reds”.

Duke nxjerrë mësime nga disfata e rëndë e fundit me Everton, Solskjaer mund të bëjë disa ndryshime në formacion. Në mbrojtje, përpara portierit De Gea, pritet të vendosen Young dhe Shaw, në anë, me Lindelof në mes, pranë Smalling. Në mesfushë, Fred do të ulet në stol, pas paraqitjes së keqe në “Goodison Park”. Herrera duket se do të startojë, duke iu bashkangjitur McTominay, Pogba dhe Matic në këtë repart. “Tridenti” i sulmit do të përbëhet nga Lingard, Martial dhe njëri mes Rashford dhe Lukaku.

Guardiola do të përballet sërish, në një pjesë tjetër të sezonit, me mungesën e Kevin De Bruyne, një nga lojtarët e tij më të mirë. Në vend të belgut do të luajë njëri mes Gündogan dhe Sané, me të parin të preferuar nga trajneri katalanas. Fernandinho dhe David Silva duhet të kompeltojnë repartin e mesfushës së “qytetarëve”. Më përpara, në ofensivë, Bernardo Silva dhe Sterling do të asistojnë Kun Aguero. Në mbrojtje ka ende mundësi për Zinchenko në të majtë, me Walker, Stones dhe Laporte si pjesë e prapavijës, para portierit Ederson.

Formacionet e mundshme
MANCHESTER UNITED (4-3-3): De Gea; Young, Lindelof, Smalling, Shaw; McTominay, Matic, Pogba; Lingard, Lukaku, Martial.

MANCHESTER CITY (4-3-3): Ederson; Walker, Stones, Laporte, Zinchenko; Gündogan, Fernandinho, David Silva; Bernardo Silva, Aguero, Sterling.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit