Arapi e nis me “sparkatë” si trajner: Vllaznia, më e dobët se sezonin e kaluar

2 Dhjetor 2021
14:08
Alfred Lleshi
back button

Nga Edi Martini te Renato Arapi, stoli i Teutës ka ndryshuar timonier para ndeshjes me kuqeblutë. Pra, synohet ndryshimi me këtë lëvizje, edhe pse duhet thënë se ish-kapiteni durrsak e ka “sefte” në këtë pozicion, është fillestar dhe nuk dihet sa do të jetë në gjendje të performojë karshi ish-trajnerëve të sprovuar të Superiores. Nesër do të debutojë kundër Vllaznisë, në një ndeshje që do të luhet në “Elbasan Arena”. Në konferencën për shtyp, Arapi u shpreh ndër të tjera:

“Ajo që më ka bërë përshtypje këto ditë ka qenë dëshira dhe entuziazmi i ekipit. Kjo të bën të ndihesh mirë. Jam shumë i kënaqur që ekipi ka pasur dëshirë dhe entuziazëm. Jemi munduar që të ndryshojmë pak gjëra, ekipi ka reaguar shumë mirë, edhe pse është e vështirë që në një kohë kaq të shkurtër lojtarët t’i përthithin ato që kërkojmë ne si staf.

Ndryshimet e mëdha nuk është se mund t’i bëjnë mirë ekipit. Jemi munduar të kemi një skuadër të ekuilibruar, pasi kemi pësuar jo pak gola. E kam thënë edhe kur kam qenë lojtar, nuk është faji i mbrojtjes kur pësojmë, sikurse nuk bie përgjegjësia te sulmuesit kur nuk finalizojmë. Do të mundohemi të kemi lojë grupi sa më të mirë.

Vllaznia? Është një nga ekipet më të mira të momentit.  Për mendimin tim, edicionin e shkuar ka qenë një skuadër më e rrezikshme, megjithatë afrimet që ka bërë këtë vit janë duke bërë paraqitje të mira. Uroj t’i marrim maksimumin kësaj ndeshjeje, pasi e kemi përgatitur në mënyrën e duhur.

Kemi dy mungesa, Aleksin, që është një nga lojtarët kryesorë të ekipit, dhe Todorovskin, por posedojmë një grup lojtarësh shumë të mirë. Kushdo që do të aktivizohet ka aftësitë të zëvendësojë çdo lojtar në çdo pozicion. Ndryshimet janë të vështira, aq më tepër në një kohë kaq të shkurtër, por këto ditë kemi punuar në aspektin e mbrojtjes, diçka që e kemi pasur pak problem.

Shpresojmë që ato që kam kërkuar t’i zbatojmë dhe në fushë. Objektivi për nesër? Edhe kur kam qenë futbollist, në çdo ndeshje kam hyrë për të fituar, pavarësisht çfarë sjell fusha e lojës. Me të njëjtin mentalitet do të futem dhe si trajner”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit