Argjentina mbetet e pamposhtur në kualifikuese, Messi ka tri ndeshje pa gol

18 Nëntor 2020
9:30
Alfred Lleshi
back button

Nicolas Gonzalez vazhdoi ngritjen e tij të shpejtë dhe Lautaro Martinez kishte shënjestrën e duhur, ndërsa Argjentina mbajti rekordin e pamposhtmërisë në kualifikimet e Kupës së Botës për CONMEBOL, me një fitore 2-0 ndaj Perusë.

Rekordi i përsosur i Albiceleste përfundoi në barazimin kundër Paraguajit, herën e kaluar, megjithatë Messi me shokë mbetën të pamposhtur në rrugën për në “Katar 2022”. Falë Gonzalez dhe Martinez, ata triumfuan edhe në Lima, të martën.

Gonzalez hapi rezultatin me golin e tij të dytë ndërkombëtar në pesë paraqitje me Argjentinën, në minutën e 17-të, përpara se Martinez të dyfishonte epërsinë 11 minuta më vonë. Me këtë rezultat, Argjentina mbetet e dyta dhe dy pikë prapa liderëve të CONMEBOL, Brazilit, për momentin.

Messi u përpoq me dëshpërim të shënonte gol, por nuk ia doli kësaj here. Ai i gëzohet faktit se Argjentina ende nuk e ka shijuar humbjen në katër kualifikueset e Kupës së Botës 2022. Që nga “Copa America” e vitit të kaluar, në korrik, skuadra e Lionel Scaloni nuk ka humbur në një seri prej 11 ndeshjesh ndërkombëtare. Kjo ishte fitorja e parë e Argjentinës ndaj Perusë në transfertë, që nga shtatori 2004, pasi kishte barazuar tri herë më parë.

Messi ishte larg nga më e mira e tij kundër Perusë, por nuk kishte rëndësi, pasi lojtarët e tjerë, Lo Celso dhe Paredes u rritën shumë. Gjashtë herë fituesi i “Topit të Artë” tani ka tri ndeshje ndërkombëtare pa shënuar. Ç’pritet më tej? Argjentina do të kthehet në veprim në mars të vitit të ardhshëm, kur të përballet me rivalët e Uruguajit dhe Brazilit, ndërsa Peruja do të sfidojë Bolivinë dhe Venezuelën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit