Arrestohet ish-ylli i La Liga-s, transportoi 4 tonë kokainë në SHBA

20 Mars 2019
12:58
Alfred Lleshi
back button

Ish-lojtari i Southampton dhe Portsmouth në Angli, Jhon Viafara, por edhe i Real Sociedad në La Liga, është arrestuar si i dyshuar për trafik droge. 40-vjeçarit iu vunë prangat në qytetin kolumbian të Kalit, pas një operacioni të përbashkët mes autoriteteve lokale dhe DEA-s amerikane. 

Kjo e fundit pretendon se Viafara është pjesë e një grupi kriminal, që ka transportuar katër tonë kokainë. Kolumbiani, që luajti një gjysmë sezoni në “Fratton Park” dhe dy vite në “St Mary's”, dyshohet të jetë anëtar i një karteli lokal të drogës.

Mediat lokale deklarojnë se Viafara, i cili u arrestua me katër të dyshuar të tjerë, dyshohet për dërgimin e lëndëve narkotike në SHBA, duke përdorur anije me shpejtësi të madhe dhe gjysëm zhytëse.

Pakot me kokainë mendohet se janë transportuar nga bregu jugor i Paqësorit të Kolumbisë në Amerikën Qendrore dhe pastaj në tokën e SHBA.

Viafara raportohet të jetë pjesë e “Clan del Golfo”, një nga kartelet më të fuqishme të drogës në Kolumbi. SHBA kërkon që pesë të dyshuarit të ekstradohen, pasi akuzohen për trafik droge midis viteve 2008 dhe 2018 nga Gjykata Shtetërore e Teksasit.

Viafara u afrua për herë të parë në Angli nga Alain Perrin, por më pas kaloi te Portsmouth, kur Harry Redknapp u bë trajner në këtë ekip. Më pas, ai u transferua te Real Sociedad, në formë huazimi, para se të bashkohej me Southampton.

Viafara ka luajtur edhe 34 ndeshje me kombëtaren e Kolumbisë, në mes të viteve 2003-2010. Ai fitoi “Copa Libertadores” me Once Caldas, në vitin 2004. U tërhoq nga futbolli në vitin 2015.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit