Arsenal nxjerr mësim nga Ramsey, ja vendimi që merr për merkaton

12 Mars 2019
17:59
Telesport
back button

Vitet e fundit merkatoja në futboll është bërë e çmendur dhe vështirë të gjesh një lojtar të mirë nën shifrën e 20 apo 25 milionë eurove. Ndaj, vetëm në ndonjë rast të veçantë, klubet janë të detyruara të paguajnë shtrenjtë lojtarët. Për të blerë fillimisht duhet të shesësh, por problemi më i madh është kur një lojtar largohet me parametrin zero. Në këtë rast është e vështirë të gjesh një zëvendësues. Për këtë arsye, Arsenal ka vendosur të ndjekë një politikë të re, më të ashpër karshi lojtarëve që janë drejt fundit të kontratës.

Fakti që Aaron Ramsey u largua me parametrin zero te Juventusi ka çmendur drejtuesit e Arsenal, që vjet rrezikuan të humbisnin edhe Mesut Ozil. Ndërkohë që, lanë të lirë Alexis Sanchez pas një shkëmbimi me Henrikh Mkhitaryan. Sipas të përditshmes britanike “Mirror”, Arsenal do të përdorë “grushtin e hekurt” për lojtarët që janë drejt fundit të kontratës me “topçinjtë”. Nëse nuk do të rinovojnë, do të shiten te klubi që ofron më shumë. Kjo nuk duket dhe kaq e lehtë, pasi një klub nuk mund të shesë një lojtar nëse ai nuk do.

Në këtë rast, lojtari nuk do të lejohet të luajë dhe stërvitet me klubin, duke dëmtuar jo pak reputacionin e karrierën e tij. Gjithsesi, një gjë është e qartë, tek Arsenali nuk do të hedhin më dëm paratë e shpenzuara. Kosh Kroenke, djali i presidentit të Arsenal, konfirmon se do të firmosë kontrata afatgjata me lojtarët, kur ajo aktuale ka edhe 2 vite afat. Në rast se këto rinovime do të mungojnë, atëherë lojtarët do të shiten para se t’u përfundojë kontrata.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit