Arsenali zyrtarizon Gabriel Jesus, detajet e marrëveshjes. Ja numri që i besohet

4 Korrik 2022
10:31
Alfred Lleshi
back button

Arsenali nënshkruan yllin e Man City, Gabriel Jesus në një transferim prej 45 milionë funtesh, ndërsa Topçinjtë arrijnë numrin 9 të ri. Arsenali ka kompletuar nënshkrimin e Gabriel Jesus, i ardhur nga Manchester City. “Topçinjtë” kanë siguruar një sulmues të ri, në fund të një sage të zgjatur të transferimeve.

Një sulmues që u shfaq dukshëm në listën e dëshirave të Mikel Arteta gjatë merkatos së verës. Dhe tani ai e ka brazilianin në dispozicion për ta përmbushur atë rol. “Peshat e rënda” të Londrës veriore do të shpresojnë ta shohin 25-vjeçarin amerikano-jugor të shkëlqejë në “Emirates Stadium”.

Katër herë fituesi i titullit të Premier League, me 56 ndeshje ndërkombëtare në emër të tij, nuk do të ishte kurrë i lirë, ndaj Arsenali ka shpenzuar 45 milionë stërlina për të siguruar nënshkrimin e Jesus.

Braziliani është kontraktuar për 5 vite nga “Topçinjtë”. Është zbuluar se Jesus do të marrë fanellën nr.9 tek Arsenali. Kjo fanellë u lirua nga Alexandre Lacazette, kur sulmuesi francez u kthye te Lyon si lojtar i lirë në fillim të kësaj vere.

Jesus mbante numrin 9 në tri sezonet e fundit te Manchester City, kështu që duhet të ndihet si në shtëpinë e tij. Ai po ndjek gjithashtu gjurmët e Lukas Podolski, Jose Antonio Reyes dhe Nicolas Anelka në veri të Londrës.

Drejtori teknik i Arsenalit, Edu tha për faqen e klubit: “Jemi të kënaqur që kemi siguruar transferimin e Gabriel. Të gjithë ata që e njohin mirë futbollin, i njohin cilësitë e Gabriel Jesus.

Një lojtar që ne e kemi admiruar për një kohë të gjatë. Ai është 25 vjeç dhe një ndërkombëtar i njohur brazilian, i cili ka treguar vazhdimisht nivel shumë të lartë. Ne mezi presim ta shohim të bashkohet me bashkëlojtarë të rinj përpara sezonit të ri”.

Arteta shtoi: “Jam shumë i emocionuar. Klubi ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të rekrutuar një lojtar të këtij niveli. Unë e njoh shumë mirë Gabriel personalisht. Ne të gjithë e njohim mirë që nga koha e tij në Premier League, ku ka qenë me të vërtetë i suksesshëm”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit