Arsyeja surreale, pse Klinsmann nuk e drejton dot Hertha kundër Bayernit

15 Janar 2020
14:32
Alfred Lleshi
back button

Jürgen Klinsmann, trajneri i Hertha BSC, nuk mund të ulet në stolin e skuadrës së tij këtë fundjavë, në ndeshjen kundër Bayern Munich. Arsyeja, sipas “Bild”, është se trajneri gjerman e ka licencën e trajnerit të skaduar dhe duhet të paraqesë dokumentacionin përkatës pranë Federatës Gjermane (DFL) për rinovim të saj. Problemi, sipas vetë Klinsmann, është se letrat e duhura për rinovim të licensës i ka në shtëpinë e tij në Kaliforni dhe tani, askush nga familja nuk jeton atje. “Kur hipa në aeroplan për në Berlin, në fund të nëntorit, nuk mendoja se kisha nevojë për licencën time të trajnerit dhe akreditimin e trajnimeve shtesë, sepse nuk mendoja se do të bëja këtë rol te Hertha”, – thotë gjermani i njohur.

“Bild” sqaron se Hertha mori njoftimin e DFL të martën, duke u njohur me këtë situatë dhe paralajmëruar se prania e trajnerit në stol është në rrezik, pasi çështja nuk është zgjidhur ende. Pavarësisht kësaj, vetë kjo media e sheh të pamundur që Klinsmann të jetë në stol kundër Bayernit, megjithëse ekziston një mundësi. Sektori përkatës i federatës, përmes një deklarate, “mbështetet në një zgjidhje të shpejtë” për Klinsmann. Përveç kësaj, për të mos lejuar që kjo të ndodhë përsëri, i është ofruar trajnerit gjerman që të marrë pjesë në një kongres trajnerësh elitarë, që do t’i mundësonte atij trajnimin e nevojshëm për rinovimin e licencës.

Është rasti për të kujtuar se DFL kërkon që trajnerët të kenë licensën e saj për të stërvitur në Gjermani, ose një ekuivalente të një vendi tjetër, që e konsideron të vlefshme. Klinsmann e ka pasur atë për më shumë se 20 vite, por nuk mund të dëshmojë se e ka kryer procesin për rinovimin e tij, i cili konsiston në pjesëmarrje çdo 3 vite nga 20 orë trajnimi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit