Arsyeja tragjike pse Ozil vendosi të tërhiqej nga kombëtarja

2 Janar 2020
18:17
Denis Hakanaj
back button

“Unë nuk do të luaj më me Gjermaninë për shkak të racizmit dhe mungesës së respektit”.  

Mesut Ozil u tërhoq nga futbolli ndërkombëtar në moshën 29 vjeç, një vendim tronditës nga kampioni i botës në 2014-ën.

Ai e shpjegoi vendimin e tij në një letër prekëse pak më vonë: “Unë kam dy zemra, një gjermane dhe një turke”.

Ozil është kritikuar ashpër në Gjermani pas eliminimit të tyre në fazën me grupe të Botërorit 2018-të, por jo për shkak të paraqitjes së tij në fushën e lojës. Ai është sulmuar kryesisht për fotografinë e bërë me presidentin turk, Erdogan, sepse marrëdhëniet politike mes Gjermanisë dhe Turqisë nuk janë shumë të mira.

Për shkak të kësaj fotografie, disa njerëz mendojnë se Ozil ndihet më shumë turk sesa gjerman. Tifozët e kanë sulmuar dhe lojtari ka marrë kërcënime me vdekje në rrjetet sociale.

“Ata përfaqësojnë një Gjermani të së kaluarës, një Gjermani që nuk është e hapur ndaj kulturave të reja dhe për të cilën unë nuk jam krenar. Unë jam rritur në Gjermani, por origjina e familjes sime i ka rrënjët në Turqi. Nuk e bëra fotografinë me Presidentin Erdogan për arsye politike ose për zgjedhjet, ishte një shenjë respekti për detyrën më të lartë të vendit të familjes sime. Unë jam një futbollist dhe jo një politikan”. 

Ylli i Arsenal-it është sulmuar edhe pas Kupës së Botës nga Federata Gjermane e Futbollit. “Ndoshta duhet të bëjmë pa të në nivel sportiv, ai nuk e kupton se çfarë presin njerëzit në Gjermani nga një lojtar i kombëtares”.

“Ozil ka luajtur shumë keq për shumë vite”.

Mesut u braktis nga disa bashkëpunëtorë edhe nga disa sponsorë. Ai duhej të vizitonte një shkollë në Gjermani për një projekt bamirësie, por shkolla ka ndryshuar mendim dhe nuk e ka pritur. Që nga ky moment ai ndihet i persekutuar për shkak të origjinës turke. Ozil ka vendosur të dorëzohet.

“Jam gjerman kur ne fitojmë dhe një emigrant kur humbim. Ndihem i padëshiruar dhe mendoj se ajo që kam arritur që nga debutimi im me kombëtaren në 2009-ën është harruar. Unë kam veshur fanellën e Gjermanisë me shumë krenari dhe entuziazëm, por tani nuk e bëj më”.

Ozil shënoi 23 gola në 92 ndeshje të luajtura me Gjermaninë. Tërheqja e tij ka qenë një humbje e madhe për kombëtaren gjermane dhe një zhgënjim i madh për tifozët e futbollit. Por, ashtu siç tha edhe vetë Ozil, racizmi nuk duhet të pranohet kurrë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit