Arteta bën “spiunin” e shefit, zbulon çelësin e suksesit të Guardiolës

12 Qershor 2019
14:32
Alfred Lleshi
back button

Pep Guardiola nuk është vetëm gjeni taktik, por edhe një punëtor i palodhur në prapaskenë, sipas ndihmësit të tij, Mikel Arteta. Trajneri katalanas zëvendësoi Manuel Pellegrini në “Etihad”, në vitin 2016, pas eksperiencave jashtëzakonisht të suksesshme te Barcelona dhe Bayern Munich. Spanjolli fitoi 14 trofe në katër vite drejtimi në “Camp Nou”, përpara se të shtonte shtatë të tjerë në “palmaresin” e tij, si trajner në “Allianz Arena”.

Pas sezonit të parë pa trofe në Premier League, Guardiola ka arritur të fitojë dy tituj kampioni aty, dy “Carabao Cup” dhe “FA Cup” në stolin e Manchester City. Kësisoji, e ka rritur reputacionin e tij si një nga trajnerët më të mirë të futbollit. Arteta, i cili ka shërbyer si krahu i djathtë i Pep gjatë tri sezoneve të kaluara, këmbëngul se puna e madhe dhe guximi, janë arsyet kryesore të suksesit të tij të paprecedentë.

"Me Guardiolën është një sfidë e përditshme, – tha Arteta për “Marca”. – Ai është superefikas me veten, por edhe ata përreth tij duhet të përmirësohen gjithmonë. Sfida është se si të jesh më i mirë se një ditë më parë, se në ndeshjen e kaluar. Pep është një punëtor i palodhshëm. Njerëzit thonë: Pep është një gjeni. Po, kjo është e vlefshme, por në qoftë se duhet ta definoj, do të thoj së pari se është një punëtor i palodhur. 

Ai na thotë: Bëni atë që dëshironi, sa të mundeni. Askush si Pep nuk e ndan suksesin dhe dështimin. Përveç kësaj, ai është shumë i guximshëm. Vendimet e tij janë gjithmonë të përqendruara në lojën sulmuese. Nëse ka ndonjë dyshim, aktivizon atë që luan më së miri përpara”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit