Aryna Sabalenka shkruan historinë, triumfon për herë të parë në Australian Open

28 Janar 2023
12:15
Telesport
back button

Tenistja bjelloruse Aryna Sabalenka, numri 2 në botë për femra, është shpallur sot fituese e grand slam të Australian Open për femra, turne që po zhvillohet në Melburn. Kjo është hera e parë që Sabalenka arrin të fitojë këtë grand slam dhe hera e parë që fiton një turne të madh në karrierën e saj.

Ajo mposhti në finale 2-1 kazaken Elena Rybakina, numrin 22 në botë, që edhe pse e nisi më mirë ndeshjen nuk arriti ta mbyllë atë në favorin e saj (4-6, 6-3, 6-4 rezultati i seteve të finales). Përmbysja e Sabalenka ishte fantastike, në një ndeshje që zgjati 2 orë e 30 minuta (hera e parë që humbet një set në turneun e këtij viti).

Gjithsesi, Sabalenka nuk mund të festojë me flamurin e vendit të saj, pasi Bjellorusia është pezulluar nga aktivitetet për shkak të luftës në Ukrainë. Ajo luajti në Australian Open si teniste neutrale, por në fund arriti t’ia dalë mbanë, duke korrur fitoren e 10-të radhazi këtë vit, duke konfirmuar formën e mirë.

Ndeshja nis më mirë për Rybakina, që arrin të shkëputet e fitojë 6-4 setin e parë. Menjëherë vjen replika e Sabalenka, që reagon dhe rikthen ekuilibrin në fushë, duke fituar 6-3 setin e dytë. Seti i tretë është mjaft i ekuilibruar dhe gjithçka vendoset në fund, me bjellorusen që fiton një “game” me topat e rivales dhe fiton 6-4.

Kjo ishte hera e katërt që dy tenistet përballeshin mes tyre dhe në të katërta ndeshjet ka fituar Sabalenka. Ajo pa shpërthyer në lot pas fitores, emocione plotësisht të kuptueshme për një teniste që për herë të parë ngre lart një trofe të tillë. Ky është titulli i 12-të në karrierë për Aryna Sabalenka.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit