As e vogël, por as e madhe; Shqipëria është Një dhe Natyrale

8 Shtator 2023
8:21
Alfred Lleshi
back button

Nga Aranit Muraçi

Kombëtarja e Shqipërisë e cila barazoi 1-1 me çekët në Pragë, i ka rritur ndjeshëm shanset e kualifikimit për në finalet e Euro 2024, sepse pas 4 ndeshjeve të para kualifikuese po konfirmon se ka ngritur një ekip më konkurues, më të konsoliduar dhe më premtues se ekipi që u kualifikua në Euro 2016.

Skuadra që barazoi sot në Pragë, në ndryshim me ekipin që shkroi historinë në Euro 2016, “vuan” mbase mungesën e një lideri si Lorik Cana. Por në mungesë të një lideri Kombëtarja përbëhet nga shumë lojtarë të tjerë të zotë duke krijuar një grup më të fortë, që jashtë fushe luan me një besim më të madh, të cilin Shqipëria nuk e ka pasur kurrë më parë, ndoshta në tërë historinë e saj.

Jo thjesht rezultati dhe barazimi, por loja, dhe reagimi ndaj skuadrës favorite të grupit brenda fushës së saj e bën këtë ekip më të veçantë dhe më simpatik, krahasuar me çdo ekip tjetër në të kaluarën tonë.

Si ndryshim me të kaluarën nuk e pësojmë më në fund. Dimë të reagojmë jashtë fushës si rrallë në historinë tonë, kur pësojmë. Kjo Kombëtare ka edhe një tjetër të veçantë.

Kur Kosova ndërtoi përfaqësuesen e saj, pa takt dhe pa vizion kombëtar krijoi një farë rivaliteti me të, mirëpo Kombëtarja shqiptare tregoi sërish se është më e madhe dhe do të mbetet e tillë, si e vetmja skuadër Natyrale Kombëtare Shqiptare.

Nedim Bajrami, sulmuesi nga Tetova, ishte lojtari i cili realizoi golin e barazimit, një gol spektakolar që në të tilla ndeshje mund ta ketë ëndërruar çdo lojtar tjetër i klasit botëror.

Jasir Asani nga Shkupi dhe Taulant Seferi nga Kumanova ishin lojtarët e tjerë të sulmit premtues për Shqipërinë, duke u bërë pjesë të një ekipi që vazhdon të frymëzojë dhe simbolizojë bashkimin kombëtar, pavarësisht se mund të ekzistojë një apo më shumë kufinj që i mbajnë shqiptarët ende të ndarë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit