As Messi dhe as CR7, befason Hazard: Ai është sulmuesi më i mirë në botë

19 Nëntor 2019
13:15
Alfred Lleshi
back button

Kapiteni i kombëtares së Belgjikës, Eden Hazard, tha se bashkëlojtari i tij te Real Madridi, Karim Benzema, aktualisht është sulmuesi më i mirë në botë: “Pasi kam luajtur me të për tre, ose katër muaj, unë mendoj se Karim është për momentin sulmuesi më i mirë në botë. Përveç rolit të tij si sulmues, ai i bën edhe të tjerët më të mirë”. Hazard foli edhe për përjashtimin e Benzema nga kombëtarja e Francës, kampionia aktuale e botës: “Më vjen keq për të, por është gjithmonë më e lehtë të luash kundër një skuadre, në të cilën nuk është Benzema”. Hazard, gjithashtu, iu referua situatës së tij në Madrid, pas një fillimi të ndërlikuar të sezonit: “Gjithmonë mund të bësh më mirë, natyrisht. Unë mendoj se te Real Madridi, prej një muaji gjithçka po shkon shumë mirë. Ne kemi fituar ndeshje dhe skuadra po evoluon mirë, gjë që ma bën më të lehtë mua”.

Referuar shanseve të Belgjikës në Europianin e vitit të ardhshëm, kapiteni nënvizoi: “Nëse duam të jemi edhe më të fortë, duhet të kemi disa armë. Belgjikën e shoh mes ekipeve favoritë për “Euro 2020”, përkrah Francës, Anglisë, Spanjës apo Italisë. Në Kupën e Botës 2018 dolëm të tretët, tani kemi dy vite më tepër përvojë dhe një mentalitet fituesi. Prandaj, ndoshta do të arrijmë më shumë sesa në Rusi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit