Asani e nis me vrullin e debutuesit: Krenar që do të luaj me Shqipërinë, do të jap 200% nga vetja

20 Mars 2023
14:45
Alfred Lleshi
back button

Jasir Asani e pasuron gjeografinë e kombëtares sonë kuqezi me një tjetër element nga pjesa shqiptare e Maqedonisë së Veriut. Një anësor “i hidhur”, të cilin e ka pikasur trajneri Sylvinho dhe e ka ftuar për kualifikuesen e 27 marsit ndaj Polonisë. Ish-lojtari i Partizanit tashmë luan në Korenë e Jugut, pas aventurës 1-vjeçare në Hungari.

Ftesa në kombëtaren shqiptare, sigurisht shënon një kulm për karrierën e tij. Asani doli sot në konferencë për shtyp dhe dëshmoi tërë krenarinë e tij që do të përfaqësojë ngjyrat kuqezi: “Jam shumë i lumtur, sepse jam nga Maqedonia. Çdo shqiptar atje e pret ftesën e kësaj kombëtareje amë, sepse jemi shqiptarë dhe japim më shumë se 200% nga vetja. Është ëndërr e çdokujt, e prita me shumë gëzim dhe dëshirë ftesën.

Ndeshjen e fundit shënova tre gola me ekipin tij, ndaj mendoj se jam në formë optimale sportive. Ndihem i lumtur si pjesë e kombëtares shqiptare, por ftesën e kam pritur gjithmonë. Ne do të shkojmë për fitore ndaj Polonisë. Do futemi në lojë për të marrë maksimumin.

Me trajnerin Sylvinho kam biseduar dje. Shumë shokë të mi futbollistë e kanë pasur trajner më parë. Më kanë folur mirë për të. Besoj se do të bëjmë mirë me të. Polonia, favorite e grupit? Çdo kundërshtar është i fortë, duhet të bëjmë maksimumin, asgjë nuk është e lehtë në futbollin e sotëm. E kemi kualifikuesen e parë me Poloninë ndaj pse jo, të mos dalim me rezultat pozitiv. Në përbërje kemi lojtarë shumë të mirë.

Si unë dhe të gjithë të grumbulluarit duhet të japim maksimumin. Jo vetëm unë, por edhe lojtarët e tjerë kanë kualitet të spikatur. Çdo lojtar ka dëshirë të shënojë gola, por mbi të gjitha është kombëtarja. Do të jap më të mirën, dua ta ndihmoj kombëtaren të marrë pikët e duhura në këtë fushatë eliminatoresh.

Disa prej lojtarëve të kombëtares së Shqipërisë i njoh prej kohësh, më kanë pritur shumë mirë. Emocioni është shumë i madh që vij për herë të parë këtu. Gjithsesi ndihem i lumtur, ashtu si krejt familja ime. Veteranët më kanë pritur shumë mirë, sonte në darkë do të këndoj para grupit.

Nuk e di nëse do të luaj ndaj Polonisë, por dua të jem gati. Të gjithë duhet të përgatitemi maksimalisht, pasi na pret një ndeshje shumë e vështirë. Ambicia është të fitojmë, sepse kemi lojtarë shumë të mirë”.

Cikalleshi: Na kënaq edhe barazimi ndaj Polonisë. Lideri tregohet në fushë, jo me fjalë…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit