Asllani: Kombëtarja, sinjal për trajnerin Inzaghi? Normale të mos luaj shumë tek Interi, jam vetëm 20 vjeç

20 Shtator 2022
14:11
Alfred Lleshi
back button

Sot është dita e dytë e përgatitjeve të kombëtares shqiptare për dy kualifikueset e fundit të këtij edicioni në Ligën e Kombeve. Më 24 shtator do të jemi mysafirë të Izraelit, ndërsa tri ditë më pas do të presim Islandën në “Arena Kombëtare”. Nga Durrësi, rezidenca e kombëtares, ka dalë në konferencë për shtyp sot Kristjan Asllani, ylli i ri i kuqezinjve, pjesë e Interit në Serie A prej kësaj vere:

“Ne kemi luajtur kundër Izrealit, është ekip i fortë. Ka manovër të shpejtë loje. Sidoqoftë, mendoj se kemi shanse ta fitojmë këtë ndeshje. Besoj se do të marrim 3 pikët”.

Një pyetje e paevitueshme për djaloshin 20-vjeçar, që nuk po gjen hapësira aktivizimi tek Interi: “Normale, jam 20 vjeç dhe duhet të kem durim. Kam përpara vetes në rol një lojtar të fortë si Brozovic dhe po mësoj shumë prej tij.

Kombëtarja, sinjal për trajnerin e Interit? Kur jam në kombëtare mendoj vetëm për fanellën kuqezi. Jam profesionist dhe kur të më jepet shansi do të bëj mirë edhe tek Interi. Nuk e di si ka ndryshuar jeta ime me kalimin nga Empoli tek Inter, por presioni është më i madh në Milano. Nuk ka problem, i kam qejf këto gjëra”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit