Asllani “shënjtërohet” tek Interi përfundimisht. Përveç golit, të gjithë numrat që e bëjnë të lumtur Inzaghin

5 Mars 2024
10:57
Alfred Lleshi
back button

Nëse sezonit të Kristjan Asllanit i mungonte ende diçka, goli i shënuar mbrëmë ndaj Genoa ndihmon për ta kompletuar ciklin. Një gol i dobishëm për të zhbllokuar ndeshjen e vështirë dhe të komplikuar, që është “qershia mbi tortë” për ish-lojtarin e Empolit, protagonist i një tjetër paraqitjeje bindëse si zëvendësues i Calhanoglu.

“Jam i lumtur, e kam pritur prej kohësh këtë gol”, – ka rrëfyer shqiptari, i aftë për të zbukuruar një tjetër sprovë të thelbit dhe personalitetit me atë “vulë” personale, që e priste prej më shumë se një viti e gjysmë. U desh shumë kohë që Asllani të festonte më në fund golin e tij të parë me fanellën zikaltër, por në fund mbërriti shpërblimi.

Dedikimi i tij thotë shumë për shpirtin e skuadrës që drejton Simone Inzaghi: “Golin ia dedikoj familjes sime, gjithashtu këtyre djemve (bashkëlojtarëve), të cilët më kanë ndihmuar gjithmonë, – tha ish-lojtari i Empolit pas ndeshjes. – Ata erdhën të gjithë për të më përqafuar, jam shumë i lumtur. Frattesi thotë se duhet t’i bëj një dhuratë? Në rregull, le të më thotë çfarë do”.

Nga ana tjetër, goli ishte pikërisht ai që i mungonte Asllanit për të “vulosur” rritjen eksponenciale të 7 muajve të fundit. Goli i parë jozyrtar, që kur kishte veshur fanellën zikaltër, kishte ardhur në fazën përgatitore, në testet e verës. Për atë të mbrëmshmin, golin zyrtar, iu deshën 53 ndeshje zyrtare për ta gjetur.

Ky gol mund të shënojë një pikë kthese, duke e inkurajuar shqiptarin të marrë rreziqe më të mëdha përsipër, siç ndodhi kundër Genoa në fund të një futjeje mjeshtërore nëpër “labirinthet” qendrore të prapavijës kundërshtare.

Detyra parësore e ish-lojtarit të Empolit mbetet ajo e “thurjes së komplotit” dhe drejtimit të “orkestrës”, diçka që në 23 paraqitjet e këtij sezoni e ka bërë gjithmonë në mënyrë të admirueshme, si kur u thirr në veprim gjatë ndeshjes në zhvillim, ashtu edhe kur luajti nga minuta e parë për të zëvendësuar, ose lënë të marrë frymë Calhanoglu.

Nuk është rastësi që Asllani deri më tani ka startuar në 7 ndeshje, sa gjithë sezonin e kaluar. Dhe jo rastësisht koha e grumbulluar e lojës së deritanishme (797 minuta në total mes kampionatit dhe kupave) pothuajse ka arritur atë të sezonit të kaluar (858 minuta).

Për të gjetur të njëjtën hapësirë aktivizimi, sezonin e kaluar Asllanit iu desh të priste ndeshjen e 35-të të kampionatit dhe mbi dy muaj më shumë. E gjitha kjo tregon qartë se sa është rritur besimi i Inzaghit tek ish-lojtari i Empolit, protagonist i një kapërcimi të qartë cilësor krahasuar me sezonin e tij të parë tek Interi.

Paraqitja e mbrëmshme ndaj Genoa ishte dëshmi konkrete e rritjes që ka përjetuar shqiptari, i cili këtë sezon nuk ka dështuar as në rastet më delikate. Përkundrazi, në disa raste ndihmoi edhe sulmin, si në “San Siro” kundër Romës (me një pasim të shkëlqyer për të nisur aksionin e golit të ndeshjes), ose si dy javë më parë në Lecce (me asistin për golin e Lautaros pas 15 minutash lojë).

Asllani i këtij sezoni është më i kthjellët, bën më pak gabime, mendon më shpejt dhe di të menaxhojë fazat e ndryshme të lojës, edhe falë “kursit intensiv” që Calhanoglu garanton çdo ditë në stërvitje, tashmë i lirë të largohet me sigurinë dhe e lënies në duar të mira të çelësave të mesfushës. Më tej, në “San Siro” shqiptari tregoi se di të japë më të mirën nga vetja.

“Të luash këtu është shumë”, – tha Asllani në fund të ndeshjes, duke nënvizuar ngrohtësinë e tifozëve, por ndjesia me “San Siron” duket se shkon përtej kësaj. Kështu shprehet goli i shënuar mbrëmë, i dyti në Serie A për shqiptarin. I pari u shënua në “San Siro” me fanellën e Empolit, ndërsa i dyti, mbrëmë, me fanellën zikaltër.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit