Atalanta imiton Juventus-in, por Ronaldo i prish festën

11 Korrik 2020
23:46
Denis Hakanaj
back button

Juventus-Atalanta, ndeshje e vlefshme për javën e 32-të të Serisë A, është mbyllur në barazim 2-2.

Zikaltrit kanë shkuar shumë afër një fitoreje që do t’i kishte ngjitur në vendin e dytë dhe do t’i kishte futur në luftën për titull, por janë ndalur nga dy penallti të CR7.

Zapata ka kaluar në avantazh miqtë në minutën e 16-të, duke e bërë Atalanta-n skuadrën e parë me të paktën 3 lojtarë me të paktën 15 gola të shënuar (Muriel me 17, Ilicic dhe Zapata me 15) në një sezon të vetëm të Serisë A pas Juventus-it në sezonin 1951/52 (Muccinelli, Boniperti dhe Hansen).

Kundërpërgjigjja e kampionëve të Italisë ka ardhur në minutën e 55-të me një penallti të transformuar nga Cristiano Ronaldo. Bergamaskët nuk janë demoralizuar dhe nëntë minuta para fundit janë kthyer në avantazh me Malinovsky-n.

Kur mendohej se ekipi i Gasperinit do të merrte tri pikë të arta, CR7 ka goditur përsëri nga pika e bardhë në minutën e 90-të dhe ka fiksuar shifrat në 2-2.

Juventus kryeson renditjen me 76 pikë, ndërsa Atalanta mbetet në vendin e tretë me 67-të.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit