Atalanta-Inter, supersfidë për vendin e dytë. Djimsiti “mpreh” shpatën” për Lautaro Martinez

1 Gusht 2020
10:03
Alfred Lleshi
back button

Fati i vendit të dytë në Serie A do të vendoset në javën e fundit të kampionatit. Pikërisht sot, Atalanta do të sfidojë Interin për këtë pozicion në renditje, me një mundësi potencialisht historike, të pa arritur asnjëherë nga klubi bergamask. Për ta bërë këtë ka vetëm një shans; të fitojë. Përndryshe, do të jenë zikaltrit të dytët.

Gasperini tashmë e ka arritur rekordin e 78 pikëve, por synon t’i tejkalojë 80 të tilla në ‘aktin” përmbyllës të një kampionati të jashtëzakonshëm. Atij i duhet të bëjë pa Palomino dhe Ilicic. I pari për lëndime dhe i dyti për probleme personale. Në 3-4-2-1 ka dy dyshime, që duhen zgjidhur: sulmuesi i tretë, që do të startojë së bashku me Gomez dhe Zapata, dhe korsitë e jashtme. Në radhë të parë, Pasalic ka më shumë mundësi se Malinovskyi, ndërsa Castagne mund të gjejë hapësirë ​​në të majtë.

Pjesa tjetër e formacionit është e “gdhendur”. Nuk ka rotacion për një ndeshje kyçe si kjo, edhe nëse për 10 ditë do të duhet të përballohet PSG. Toloi, Caldara dhe Djimsiti do të luajnë para Gollini, me De Roon në mesfushë, së bashku me Freuler.

Conte nuk do të ketë Sensin dhe Vecino. Në mesfushë pritet të aktivizojë Barella dhe Gagliardini, së bashku me Brozovic, me Eriksen dhe Borja Valero të ulur në pankinë. Në korsitë e mesfushës janë piketuar D’Ambrosio dhe Young, më favoritë, edhe pse Moses dhe Candreva i bëjnë presion ish-lojtarit të Torinos.

Zikaltrit do të startojnë me Skriniar dhe Bastoni, përkrah De Vrij, në qendër të mbrojtjes, përpara Handanovic. Nga ana tjetër, Lautaro Martinez e sheh veten përkrah Lukakut në sulm. Alexis Sanchez po shkon drejt një pushimi.

Formacionet e mundshme
ATALANTA (3-4-2-1): Gollini; Toloi, Caldara, Djimsiti; Hateboer, De Roon, Freuler, Castagne; Pasalic, Gomez; D. Zapata.
INTER (3-4-1-2): Handanovic; Skriniar, De Vrij, Bastoni; D’Ambrosio, Barella, Brozovic, Gagliardini, Young; Lukaku, Lautaro Martinez.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit