Atalanta më e mirë se Juventusi, vlerësim maksimal për Berishën e Gjimshitin

20 Janar 2019
16:17
back button

Juventusi dominon Italinë, edhe këtë sezon është praktikisht kampion, por të paktën në një tregues nuk është ekipi më i mirë në Itali.

Është Atalanta mbreti i Serisë A për sa i përket lojës sulmuese dhe golave të shënuar, me 44 gola, plot 6 më shumë se Juventusi ndjekës.

Sot Atalanta arriti një fitore të pabesueshme 5-0 në Frosinone, aty ku Duvan Zapata u bë lojtari i tretë në historinë e klubit bergamask që shënon 4 gola në një takim.

Trajneri Gian Piero Gasperini, ai që u largua nga Interi si dështak, tashmë ka të drejtë të buzëqeshë: "Bëmë të dukej gjithçka e lehtë, sepse dhamë maksimumin për 90 minuta. Zapata ka kohë që e ka treguar sa vlen, nuk më befason. E dinim çfarë cilësish ka, i duhej vetëm një formë perfekte fizike, që tani e ka".

SHQIPTARËT – Atalanta mahnit dhe brenda saj protagonistë janë edhe dy shqiptarë, sepse Etrit Berisha e Berat Gjimshiti ishin titullarë në Frosinone.

Berisha është tashmë titullar i paprekshëm dhe sot pati një pasdite të qetë, duke u vlerësuar me notë të lartë mbi të gjitha për faktin se u tregua i vëmendshëm edhe në rastin e vetëm që Frosinone krijoi, me Pinamontin, kur ndeshja po mbaronte.

Ndërkaq, Gjimshiti ka luajtur ndeshjen e dytë të vitit nga minuta e parë dhe tashmë është një titullar për Gasperinin, edhe pse e kërkon Beshiktashi.

Sulmuesit e Frosinone-s "e gudulisën" dhe nuk vuajti asnjëherë, duke treguar qetësi prej veterani, ndërsa në mediat italiane nota për të ishte mjaft e lartë edhe për faktin se ishte mbrojtësi i kombëtares sonë ai që krijoi golin e tretë të ndeshjes, me një depërtim deri në kufi të zonës, para pasimit për Zapatën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit