Pas një humbje dhe një barazimi, Atletico Madrid është kthyer te fitorja në kampionatin spanjoll. Skuadra e Diego Simeone-s ka mundur 3-0 Valladolit në javën e 18-të të La Liga-s.
Ndeshja e luajtur në Metropolitano është vendosur në 45 minutat e para, të mbyllura në avantazh 3-0 falë tre golave të realizuar në harkun e dhjetë minutave.
Goli i parë është realizuar nga Alvaro Morata. Pasi ka marrë një asist të mrekullueshëm nga Griezmann, sulmuesi spanjoll ka nxjerrë jashtë loje një kundërshtar me një finte të bukur dhe ka shënuar me lehtësi.
Në të 23-ën ka ardhur goli i dytë dhe këtë herë autori ka qenë Griezmann, i cili nuk ka gabuar një metër larg portës pas asistit të marrë nga Molina.
Në minutën e 28-të ka ardhur edhe goli i tretë i vendasve i shënuar nga Hermoso. Një gol që ka ardhur nga një goditje dënimi i Griezmann, i cili ka qenë protagonisti absolut i pjesës së parë.
Antoine Griezmann ka shënuar dhe ka dhënë një asist në 12 ndeshje të ndryshme në La Liga, më shumë se çdo lojtar tjetër të Atleitco-s në shekullin e 21-të në kampionatin spanjoll.
Atletico Madrid ka shënuar 3 gola në 30 minutat e para të një ndeshje të kampionatit për herë të parë që nga prilli i 2017-ës kundër Las Palmas, dhe për herën e tretë kundër Valladolid që nga shtatori i 1980-ës dhe tetori i 1994-ës, më shumë se kundër çdo skuadre tjetër në La Liga.
Rezultati ka mbetur i pandryshuar në 45 minutat e dyta dhe skuadra e Simeone-s ka arritur të sigurojë tri pikë shumë të rëndësishme.