Atletico Madrid ofron dy sulmues për të marrë Morata-n

16 Janar 2019
16:26
back button

Ky janar padyshim mund të quhet meraktoja e sulmuesve. Në çdo ligë ka lëvizje në këtë repart. Higuain, Piatek, Morata, Kalinic, Falcao, Giroud apo Llorente janë disa nga emrat më të rëndësishëm që kanë qarkulluar në listën e klubeve më të mëdha në Evropë.

Alvaro Morata nuk e sheh veten te Chelsea për faktin se nuk ka minutat e duhur në dispozicion, po ashtu drejtuesit e “bluve” nuk e shohin si sulmuesin ideal për ta. Për këtë ai është vënë në lëvizje për të gjetur një klub ku mund të kalojë që tani. 

Fillimisht ishte pista Milan, më pas Sevilla, por të dy këto opsione kanë rënë. Tani është Atletico Madrid që po shtyn shumë për të marrë shërbimet e spanjollit. Së fundi, është mësuar se “Cholchoneros” kanë bërë një lëvizje tjetër drejt tij. 

Zërat e fundit thonë se Nikola Kalinic dhe Gelson Martins janë vënë në pjatën e Chelseas për të zgjedhur. Vetëm njëri nga këta të dy mund të shkojë në Londër, për të marrë Moratan në Madrid. Tashmë topi kalon në anën e klubit anglez dhe janë ata që duhet të bëjnë një zgjedhje. Atletico ka ofruar të paguajë 3 milionë euro për huazim, me të drejtën për ta blerë përfundimisht kartonin e sulmuesit në qershor.

Kujtojmë që Kalinic kaloi këtë verë nga Milan te Atletico Madrid për 15 milionë euro, por kroati ka dështuar të përshtatet me stilin e lojës së Diego Simeones dhe në 17 ndeshje ka shënuar vetëm tre gola. Situatë e ngjashme edhe për Martins, i cili ka shënuar vetëm një gol e asnjë asist në 12 ndeshje. Portugezi u afrua si lojtar i lirë pas problemeve që ndodhen te Sporting Lisbona me presidentin e klubit. Gjithsesi klubi portugez ka kërkuar një dëmshpërblim prej 105 milionë eurosh për shkak të marrëveshjes së njëanshme me lojtarin, kartoni i të cilit asokohe vlerësohej rreth 40 milionë euro.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit