Autori i 194 golave “bekon” largimin e Allegrit dhe rikthimin e Contes

18 Maj 2019
12:54
Alfred Lleshi
back button

Christian Vierit i peshon shumë fjala, sidomos në Itali, ku ka lënë gjurmë të pashlyeshme me futbollin dhe golat e tij. Sulmuesi që ka veshur fanellën e tre gjigantëve të Serie A, Juventus, Inter dhe Milan, ndër klubet e tjerë (me të cilët ka shënuar 194 gola në total), edhe pse kalon shumë kohë në Miami, e ka përherë një sy nga Serie A, aty ku duket se do të kthehet një trajner si Antonio Conte: "Do të jetë një përforcim i madh për futbollin tonë, pavarësisht se ku shkon. Antonio është shumë punëtor, pëlqen futbollin e shpejtë dhe me intensitet, ka ide specifike taktike. 

Eshtë përditësuar vazhdimisht, kurrë nuk u ndalua së mësuari në futboll. Ai shkoi në Premier League dhe që vitin e parë fitoi kampionatin atje. Pastaj, fitoi një “FA Cup”. Është shumë e vështirë ta imponosh veten menjëherë në një vend tjetër. Duhen të paktën 3-4 vite dhe, në këtë kuptim, Italia duhet të bëjë kapërcim në cilësi. Gjithçka kthehet në zhgënjim në një çast, shpesh pa arsye".

Juve dhe Allegri janë ndarë. Cili duhet të zërë vendin e Max? Vieri ka përgjigjen e tij: “Te Juve nuk është e lehtë për askënd, ka presion të madh. Në kësi klubesh, vetëm fitorja është e vlefshme. Juventusi ka kaq shumë eksperiencë, dominon tërësisht futbollin në Itali, por do të doja ta shihja të luante edhe shumë mirë. Unë nuk jam i interesuar për sisteme apo taktika të ndryshme, por do të doja diçka më shumë si luan futboll. Këtë sezon nuk më pëlqente t’i shihja ndeshjet e bardhezinjve. Juventusi, Milani dhe Interi e kanë për detyrë që të jenë të bukur, jo vetëm të fitojnë. Kjo gjë imponohet nga tradita e historia, por edhe nevojat e futbollit aktual europian, shkon përtej emrit të trajnerit".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit