“Aventurë e re? Po”; për Mauro Icardi është koha e lamtumirës…

23 Gusht 2019
9:40
Alfred Lleshi
back button

Mauro Icardi është padyshim një nga emrat më të spikatur të merkatos së kësaj vere. Ndërsa po afrohet data e fundit, kur mund të bëhen transferime në futboll, rritet edhe ankthi se cila do të jetë lëvizja e tij “in extremis”. Pasi ka dalë jashtë planeve teknike të Interit kohë më parë, ish-kapiteni zikaltër është një nga elementët më të vlefshëm të merkatos dhe nuk është rastësi që ende përflitet për transferime të mundshme në klube të mëdha si Juventus apo Napoli.

Icardi, ndërkohë, përpiqet të mos e humbasë qetësinë e tij. Të enjten në mbrëmje mori pjesë me shokët e tij në një “aheng” të organizuar nga Lautaro Martinez për ditëlindjen e 22-të. Maurito dhe gruaja e tij, agjentja Wanda Nara, dukeshin jashtëzakonisht të qetë dhe madje postuan foto të ngjarjes. Duke lënë hotelin në qendër të Milanos, ku e festoi ditëlindjen Martinez, ata thanë shumë pak fjalë, që mund të parashikonin lajme të rëndësishme.

I rrethuar nga gazetarët, pyetjes nëse po fillon një aventurë të re, ai iu përgjigj me një “po”. Pastaj, kjo u përsërit nga bashkëshortja e tij” “Ai tha po”. Sigurisht, nuk ka ngelur asgjë tjetër për të kuptuar nëse prapa kësaj përgjigjeje pohuese parashihet diçka apo ishte thjesht sarkazmë. Ndërkohë, emri i tij vazhdon të jetë në qendër të shumë zërave. 

Sipas asaj që është shkruar ditët e fundit nga mediat italiane, Juventusi vazhdon të jetë destinacioni i tij i preferuar, por Interi duket se nuk dëshiron ta dorëzojë ish-kapitenin te bardhezinjtë. Napoli ka bërë hapa konkretë për blerjen e argjentinasit, por pa mundur ta bindë lojtarin deri më tani.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit