Bagnaia rrëzohet, Fabio Quartararo shpallet kampion bote në MotoGP

24 Tetor 2021
14:50
Telesport
back button

Piloti francez Fabio Quartararo me Yamaha është shpallur sot kampion bote në MotoGP për vitin 2021. Ai përfitoi nga rrëzimi i rivalit të tij direkt për titull, italianit Francesco Bagnaia në garën e Misano (Itali), duke siguruar matematikisht titullin kampion, i pari për të në këtë kategori. Ai bëhet francezi i parë në historinë e MotoGP që shpallet kampion bote në MotoGP.

Një garë e vendosur 6 xhiro nga fundi, kur Bagnaia me Ducati, që kryesonte garën pas “pole” të siguruar dje, rrëzohet dhe i jep kështu mundësi Quartararo të festojë. Në ato momente, Bagnaia po duelonte për kreun me spanjollin e Honda, Marc Marquez, që përfitoi nga rrëzimi për të fituar garën e Misano. Suksesi i tretë sezonal për spanjollin.

Në vendin e dytë u renditën spanjolli Pol Espagraro me Honda, ndërsa në të tretin italiani Enea Bastianini me Avintia. Gjithsesi, festa më e madhe ishte për Quartararo (sot u klasifikua i katërti), që shpallet kampion bote, duke valëvitur flamurin francez pas përfundimit të garës. Valentino Rossi, në garën e fundit para publikut të tij, doli i dhjeti.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit