Ballkani fiton ndeshjen e çmendur, mposht Sivasspor-in dhe shkruan historinë (Pamjet)

6 Tetor 2022
20:51
Denis Hakanaj
back button

Ballkani ka fituar 4-3 në fushën e Sivasspor-it dhe është bërë skuadra e parë kosovare që fiton një ndeshje në fazën me grupe të një kompeticioni europian.

Pas barazimit me Cluj dhe humbjes së pësuar kundër Slavias së Pragës në dy ndeshjet e para të Grupit G të Conference League, kampionët e Kosovës kanë marrë një fitore të madhe kundër një prej skuadrave favorite për të kaluar grupin.

GOLI I FITORES I KRASNIQIT – VIDEO

Dhe të mendosh se ndeshja nuk ka nisur aspak mirë për skuadrën e Ilir Dajës, që e ka parë veten në disavantazh që në minutën e parë të ndeshjes.

Megjithatë, miqtë kanë arritur të kundërpërgjigjen dhe të përmbysin gjithçka në harkun e pak minutave. Thaqi ka barazuar në minutën e 20-të me një gol kryevepër nga jashtë zone dhe Potoku ka përmbysur rezultatin në të 31-ën.

GOLI I THAQIT – VIDEO

Në pjesën e dytë, më saktësisht në minutën e 66-të, ka ardhur edhe goli i tretë për Ballkanin i realizuar nga Korenica, i cili ka shfrytëzuar shumë mirë asistin e marrë nga Thaqi.

Vendasit kanë reaguar në minutën e 75-të duke ngushtuar shifrat në 3-2 dhe duke barazuar në minutën e 91-të me dy gola të Yesilyurt. Kur dukej se sfida do mbyllej në barazim, Krasniqi ka realizuar golin e fitores në minutën e 94-t.

GOLI I POTOKUT – VIDEO

Kjo fitore e ka ngjitur Ballkanin në vendin e dytë në grup dhe e ka kthyer në garë për t’u kualifikuar në raundin pasardhës të Conference League.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit