Barça “fut në rreth” yllin zikaltër, Interi nxiton ta blindojë

23 Tetor 2019
14:09
Alfred Lleshi
back button

Barcelona tashmë po mendon për pasuesin e Luis Suarez në sulmin e vet. Në radarët e kampionëve të La Liga-s është ylli i Interit, Lautato Martinez. Sipas të përditshmes spanjolle “Mundo Deportivo”, shumë afër klubit Blaugrana, sulmuesi zikaltër argjentinas do të ishte zëvendësuesi ideal i uruguajanit. “Toro”, i cili e ka filluar këtë sezon në mënyrë mbresëlënëse për ekipin e Antonio Conte, tashmë duke shënuar 5 gola në 10 ndeshje, arriti tek Interi në verën e vitit 2018, nga Racing, për 24 milionë euro. 

Pas një sezoni të parë me ulje-ngritje, duke pasur parasysh edhe largimin e Icardi, lojtari i datëlindjes 1997 është bërë “strumbullari” i sulmit zikaltër. Ai po krijon një partneritet ofensiv të frikshëm me shokun e repartit, Romelu Lukaku. Në fakt, Interi nuk do të dëshironte ta shiste atë, përkundrazi, do të studiojë një plan të shpejtë për ta blinduar. 

Më konkretisht, zikaltrit duan t’i vendosin argjentinasit një klauzolë lirimi prej 200 milionë euro. Drejtuesit e kanë thirrur tashmë agjentin e argjentinasit, Beto Yaquè, për të diskutuar mbi rinovimin e sulmuesit dhe rishikimin e klauzolës aktuale të lirimit nga 110 në 200 milionë euro. Një shifër e rëndësishme, që mund të bëhet e paarritshme edhe për një klub si Barcelona.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit