Barça “ngec” përsëri, Atletico dhe Saul i prishin festën Messi-t

30 Qershor 2020
23:59
Denis Hakanaj
back button

Barcelona ka barazuar 2-2 në shtëpi kundër Atletico Madrid në javën e 33-të të La Liga-s.

Një rezultat që mund t’i kushtojë titullin katalanasve, duke parë se Real Madrid kryeson renditjen me një pikë më shumë dhe me një ndeshje më pak.

Skuadra e Zidane do të ketë mundësinë të thellojë diferencat me rivalët e përjetshëm të enjten në mbrëmje (22:00) kur të presë në shtëpi Getafe-n.

Gjithçka ka nisur mirë për Barçën, që ka kaluar në avantazh në minutën e 11-të falë një autogoli të Diego Costa-s. Sulmuesi i Simeone-s ka pasur mundësinë të ndreqë gabimin në minutën e 16-të, por penalltia e tij është pritur nga Ter Stegen.

Një pritje që është anuluar nga VAR, sepse gjermani kishte dalë nga porta para kohe. Tentativa e dytë është marrë përsipër nga Saul, i cili nuk ka gabuar.

Katalanasit kanë reaguar pesë minuta pas fillimit të pjesë së dytë me Leo Messi-n, i cili ka realizuar golin e tij numër 700 nga pika e bardhë e penalltisë. Argjentinasi ka dashur të festojë duke mposhtur portierin Oblak me një Panenka.

Festa e Pleshtit dhe katalanasve është prishur në minutën e 62-të, kur Saul ka transformuar në gol penalltinë e radhës dhe ka fiksuar shifrat në 2-2.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit