Barça përgatit ofertë të re për Neymar, Perez e “markon” në çdo hap

23 Gusht 2019
11:59
Alfred Lleshi
back button

Janë ditë takimesh, telefonatash, tensioni dhe vendimesh. Barça do të bëjë ofertën e fundit, në përpjekje për ta kthyer Neymar në “Camp Nou”, edhe pse negociatat janë shumë të ndërlikuara. Real Madridi po tenton të njëjtën gjë, megjithëse klubi Blaugrana është shumë i qartë se Neymar e ka përparësi absolute ish-skuadrën e tij. Sipas katalanases “Sport”, Barça do të bëjë një përpjekje përfundimtare, me shpresën se PSG do të lëvizë nga qëndrimi i deritanishëm. Ekziston bindja që, nëse Neymar shpreh dëshirën e tij për t’u rikthyer te Barça, operacioni mund të mbyllet brenda pak orësh. E gjithë “ndeshja” luhet në orët e ardhshme, që janë absolutisht vendimtare.

Përkundër asaj që thuhet në Madrid, informacioni që ka klubi Blaugrana është se Florentino Pérez ka dislokuar të gjithë artilerinë e tij dhe po e josh Neymar. Aq shumë, sa braziliani i kërkoi Barcelonës të bëjë një hap tjetër përpara me ofertat, nëse dëshiron të mbyllë operacionin. Përndryshe do të jetë e pamundur që katalanasit dhe PSG të arrijnë një marrëveshje, ndaj lojtari nuk do të ketë zgjidhje tjetër, përveçse të pranojë propozimin e të bardhëve për pesë sezonet e ardhshme. Oferta ekziston dhe Real Madridi ka folur ballë për ballë me yllin brazilian dhe njerëzit përreth tij.

Kupola e klubit Blaugrana ka përgatitur një propozim, që mund ta tundojë PSG. Parizienët po luajnë qartë në favor të Real Madridit, prandaj oferta e Barcelonës duhet të jetë e fuqishme. Ideja është që të përfshihen lojtarë të tjerë. PSG po kërkon emra të caktuar ditët e fundit dhe shumë para për Neymar. Te Barça, menaxherët dhe drejtuesit e zonës sportive pajtohen me faktin që, nëse Neymar e bën të qartë dëshirën për t’u kthyer në “Camp Nou”, PSG nuk do të ketë zgjidhje tjetër, përveçse të pranojë propozimin. Real Madridi informohet për gjithçka dhe është gati të përmirësojë çdo ofertë të Blaugrana-ve për momentin. Florentino Pérez ka vendosur të nënshkruajë me çdo çmim me Neymar, për ta hequr atë nga duart e Barçës. Dhe strategjia e tij është e qartë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit