Barcelona heq dorë nga De Ligt; është shumë i shtrenjtë. Mbeten dy emra të tjerë në “pole”

27 Qershor 2022
15:30
Alfred Lleshi
back button

Barcelona heq dorë nga De Ligt për shkak të kërkesës ekonomike të Juves, rreth 100 milionë euro. Kështu shkruan “Sport”. Lojtari ishte shumë i dëshiruar në shtëpinë katalanase, por vlerësimi i tij është përtej mundësive ekonomike dhe nuk përbën as prioritet sot.

De Ligt ishte studiuar sërish ditët e fundit, duke pasur parasysh mundësinë konkrete (klauzolën) që ai të largohet nga bardhezinjtë në këtë merkato vere, por çmimi është i tepruar.

Nuk është vetëm kërkesa e Juves, që e ka bërë Barçën të heqë dorë, por edhe rroga që merr qendërmbrojtësi holandez: më shumë se 10 milionë euro. Prandaj, fati i tij mund të jetë Premier League, ku sigurisht nuk mungojnë paratë.

Dhe të mendosh se Barcelona kishte “vënë bast” për De Ligt në janar, kur agjentët e lojtarit kishin folur tashmë për mundësinë e largimit të tij në verë, por edhe atëherë operacioni ishte dukur jashtëzakonisht i komplikuar.

De Ligt nuk ka rinovuar ende, teksa kontrata i skadon më 2024, kështu që Juve mendon ta shesë atë tani në mënyrë që të mund të fitojë para dhe të rikuperojë 75 milionë eurot e investuara për të (pagesa tek Ajax) në atë kohë. “Sport” shkruan: “Holandezi ka qenë shumë i çrregullt te Juve dhe nuk është ndjerë kurrë i qetë nga pikëpamja sportive”.

Barcelona po kërkon një qendërmbrojtës të nivelit të lartë, por shifrat e kërkuara për De Ligt janë pothuajse të paarritshme. Në Angli ka skuadra që janë të gatshme të bëjnë oferta shumë të mëdha për të siguruar lojtarin, si Chelsea dhe Manchester United.

Në këtë pikë, Barcelona do të vazhdojë të përpiqet për të marrë Koundè nga Sevilla, që është opsioni i parë. Nëse nuk do të ketë sukses edhe me këtë pistë, atëherë do të tentojë Koulibaly e Napolit. Të dyja janë operacione të nivelit të lartë, por që konsiderohen nga “Sport” si shumë më të lira se De Ligt.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit