Barcelona pranë “dritës jeshile” nga La Liga, rriten shpresat për kthimin e Messit

5 Qershor 2023
13:19
Alfred Lleshi
back button

La Liga i ka dhënë tashmë dritën jeshile planit të qëndrueshmërisë së Barcelonës, siç raportohet nga gazetari i “Relevo”, Matteo Moretto, i cili siguron se në orët e ardhshme do të jepet “OK” zyrtar, gjë që do t’i lejojë klubit Blaugrana të fillojë merkaton.

Ky hap mund të çojë në një ofertë zyrtare për Leo Messin, nëse ai nuk mbyll operacione të tjera më parë. Burime nga klubi i Barcelonës konfirmojnë se ka ndjesi të mira, por nuk përdorin ndonjë term kaq optimist.

Barcelona pret të marrë atë dritën jeshile, e cila ka marrë më shumë ditë se sa ishte planifikuar fillimisht, për t’i bërë një ofertë formale argjentinasit, i cili dëshiron të marrë një vendim tani, sepse në të kundërt mund të humbasë disa nga opsionet që ka në tryezë.

Xavi Hernández e bëri të qartë, në konferencën për shtyp përpara Celta-Barça, se ai nuk mund të fliste për lojtarë që nuk i ka në dispozicion. Ndërkohë, katalanasja “Sport” ka plasur “bombën”. Sipas saj, babai i Leo Messit, Jorge Messi, është duke u takuar me presidentin e Barçës, Joan Laporta, për të diskutuar rikthimin e mundshëm të yllit argjentinas në klubin Blaugrana.

Siç raporton gazetari Toni Juanmartí, Jorge Messi sapo ka hyrë në shtëpinë e Laportës për të nisur një takim që mund të jetë vendimtar për rikthimin e lojtarit. Në parim, Barça tashmë ka marrë “OK” për planin e fizibilitetit nga La Liga dhe mund t’i bëjë ofertë shtatë herë fituesit të “Topit të Artë”.

Jorge Messi ka udhëtuar drejt Barcelonës për të dëgjuar ofertën e presidentit blaugrana ballë për ballë. Deri më tani, klubi katalanas nuk kishte bërë asnjë ofertë për Messin derisa u bë e qartë nëse mund të nënshkruante me lojtarë apo jo për shkak të limitit të pagave. Realiteti është se klubi do të jetë në gjendje të nënshkruajë, por duhet të shesë lojtarë për të zbatuar plotësisht këtë plan qëndrueshmërie.

Leo Messi ka një ofertë të rëndësishme nga Al Hilal i Arabisë Saudite dhe Inter Miami, ndonëse Barça po përpiqet të punojë për rikthimin e tij me një propozim që mund të jetë për një sezon, me një opsion tjetër dhe pagë afër 25 milionë euro.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit