Barcelona, thirrje tifozëve: Ju duam 100 mijë në “Camp Nou”, jeni lojtari i 12-të kundër Interit

6 Tetor 2022
8:45
Alfred Lleshi
back button

Mungon një javë, numërimi mbrapsht tashmë ka filluar. Duke lënë mënjanë polemikat e arbitrave, Barcelona i thërret të gjithë njerëzit blaugrana në ndihmë, pas humbjes së sfidës së parë kundër Interit.

“Të mërkurën e ardhshme, – është mesazhi i klubit i postuar në Twitter, i plotësuar me fotot e ‘Camp Nou’ të mbushur plot. – Ju do të jeni lojtari i 12-të”.

Ndeshja e kthimit ndaj zikaltërve do të jetë kështu e para nga tri finalet për të cilat foli i indinjuar Xavi menjëherë pas fishkëllimës së fundit në “San Siro”, i etur për të arritur në vijën e finishit të 1/16 të Ligës së Kampionëve.

E para, por potencialisht edhe e fundit, sepse një fitore tjetër e Interit do t’i kualifikonte përfundimisht ata, duke shtyrë katalanasit drejt “Europa League”. Edhe një barazim do të ishte rezultat negativ për skuadrën e Xavit.

Në atë moment, Interit do t’i duhej vetëm të mundte Plzen në ndeshjen e radhës për të garantuar kalimin e fazës së grupeve. Me pak fjalë, për Barcelonën ka vetëm një rezultat të dobishëm dhe për të mos dështuar iu bën thirrje edhe tifozëve të saj.

Atyre iu kërkohet që ta shndërrojnë “Camp Nou” në një “ferr” të vërtetë për zikaltrit. Herën e fundit që e bëri kundër Interit, megjithatë, përfundoi keq. Në fakt, ato ishin kohët e “remuntadës” së dështuar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit