Barella rrëfehet për gjithçka: Lukaku nuk ndalet, Chiellini është nëna dhe babai në kombëtare…

13 Janar 2021
9:40
Alfred Lleshi
back button

Pika fikse e Interit të Conte, një titullar i përhershëm në ekipin kombëtar, Nicolò Barella është tani realitet i shkëlqyer i futbollit italian dhe më gjerë. Mesfushori zikaltër, në një intervistë të gjatë dhënë për “Linea Diletta” në DAZN, tregon se si lindi nofka e tij “radio”: “Pleqtë e Cagliari, si Cossu, Sau dhe të tjerë, ma vendosën këtë nofkë, sepse kur arrita në ekipin e parë, shumë i ri, nuk flisja fare; ndërsa kur fillova të luaja, më akuzuan se nuk heshtja më. Ata thanë se isha bërë si një ‘radio’. Ndoshta më preferonin të heshtur, siç isha më parë”.

Transferimi tek Interi lejoi që Barella të rritet më tej, falë Conte. Një aventurë që po i jep aq shumë gëzime, por edhe një zhgënjim të madh: “Në shtëpi jam fanatik i rregullit. Tani po bëhem paksa edhe në fushë, mbi të gjitha falë Antonio Conte. Më parë isha më i lirë, tani trajneri më ka dhënë shumë nocione, më ka mësuar të zgjedh momentet. Unë studioj shumë. Duke luajtur me kampionë të mëdhenj përpiqem të vjedh diçka nga secili prej tyre, i vëzhgoj ata dhe pjesët më të mira mundohem t’i asimiloj. Humbja e finales së ‘Europa League’ ishte zhgënjimi më i madh i karrierës sime si futbollist. Ne e merituam atë trofe”.

Barella pastaj përqendrohet në marrëdhëniet me Lukakun, liderin e vërtetë të Interit: “Ai ka një fuqi fizike si Shaquille O’Neal. Askush nuk mund ta lëvizë atë, edhe në stërvitje, tre lojtarë duhen për ta bllokuar. Romelu është një lider i shkëlqyeshëm; thotë fjalë të mira për të gjithë, ka një marrëdhënie të mirë me të gjithë dhe pastaj në fushë është vendimtar si askush tjetër. Ai arriti në mënyrë të pabesueshme të flasë shpejt italisht! Ai i njeh të gjitha gjuhët e botës, është shumë i fortë”.

Më në fund, mesfushori sardinian rrëfen përvojën me kombëtaren, ku Barella nënvizon kontributin e rëndësishëm të kapitenit Chiellini: “Kombëtarja është ëndrra e çdo futbollisti. Unë jam shumë krenar që kam arritur atje kaq i ri. I detyrohem shumë trajnerit Mancini, i cili besoi kaq shumë tek unë, që kur isha te Cagliari. Mancini ka krijuar një grup të shkëlqyeshëm dhe nuk është kurrë e lehtë me kohën e shkurtër që keni për ekipin kombëtar. Ka një klimë të bukur në grup, qetësi maksimale. Të gjithë jemi të lirë të shprehemi, nuk ka të rritur dhe fëmijë, përkundrazi, të rriturit ndihmojnë të rinjtë. Chiello është nëna e të gjithëve! Chiellini a mbron si një baba. Ai na ofron me të vërtetë mbrojtjen e një nëne, gjithmonë na ka bërë ne të rinjve të ndihemi të rëndësishëm. Na ka dhënë besim”.

 

 

 

 

 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit