Bartomeu zbulon planet e klubit: Ja si po e përgatisim epokën pas Messit

9 Nëntor 2019
13:17
Alfred Lleshi

Josep Maria Bartomeu, presidenti i Barcelonës, siguroi se klubi tashmë po përgatitet për periudhën pas Lionel Messit, pasi ylli argjentinas “t’i varë këpucët në gozhdë”. Kuptohet, kreu i katalanasve shpreson që ajo ditë të jetë sa më e largët. Duke folur për “Associated Press”, Bartomeu theksoi se ka një plan në këtë drejtim: “Ne jemi duke përgatitur epokën pas Messit. Të gjithë ndajmë shqetësimin për mënyrën sesi do të jetë Barcelona pa Messin, sot 32 vjeç, i cili i ka udhëhequr aspiratat tona sportive prej gati 15 vitesh”. 

Presidenti Blaugrana avancoi edhe me një objektiv tjetër strategjik: “Nuk kam dyshim që, pasi Messi ta përfundojë karrierën e tij si futbollist, do të mbetet i lidhur me këtë klub edhe për pjesën tjetër të jetës së tij”. Kohët e fundit, argjentinasi ishte shumë i qartë në lidhje me gatishmërinë e tij për të mbetur përjetësisht te Barça, madje përjashtoi edhe një ëndërr fëmijërie për ta mbyllur aty ku e nisi, në Rosario: “Unë dua të dal pension te Barcelona. Gjithmonë ëndërroja ta mbyllja karrierën atje, te Newell, në futbollin argjentinas, i cili është shumë ndryshe nga kudo në botë, por duhet të mendoj më shumë për familjen”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit