Batha jep kushtrimin bardheblu: Kemi dy “finale” para derbit me Partizanin

24 Nëntor 2020
11:55
Alfred Lleshi
back button

Nga Vllaznia te Bylis. Duket njëfarë relaksimi për bardheblutë kampionë, të paktën në letër, sa iu përket kundërshtarëve. Pas disfatës dramtike në “Loro Boriçi”, Tirana do të përballet nesër me ballshiotët. Kapiteni Idriz Batha, duke folur për mediat mesditën e sotme, u shpreh:

“Çdo ditë që kalon, me trajnerin e ri që kërkon të fusë idetë e tij në ekip, është në favorin tonë. Mendoj dhe shpresoj që të mos përsërisim të njëjtat gabime që bëmë ndeshjen e fundit. Sa më shumë t’i afrohemi idesë së trajnerit, aq më mirë do të jetë për të gjithë.

Çfarë nuk shkoi në Shkodër? Kjo që sapo thashë. Mendoj se kishim pak ditë në dispozicion për t’u përshtatur me stilin e ri të lojës. Nuk bëmë një lojë brilante, por kishim mundësitë tona për ta fituar ndeshjen.

Strategjia për nesër? Bylis është një skuadër që ka treguar se është kockë e fortë për të gjithë. Është skuadër agresive, ndaj duhet t’i marrim mirë masat. Shpresoj të bëhet një ndeshje e bukur.

Po afron derbi? Të jem i sinqertë nuk e mendoj. Kemi 2 ndeshje finale para se të shkojmë te derbi. Në situatën që jemi, me pikët që kemi grumbulluar, nuk na lejohet ta kemi mendjen te derbi, por te ndeshjet e radhës”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit